Ish-kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ku pritet të miratohet deklarata e përbashkët lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë.
Haradinaj, i pyetur edhe për çështjen e presidentit, tha se vendi ndodhet në ditë vendimtare, ndërsa afati i 6 tetorit po afrohet.
Duke folur për vendimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Haradinaj e ka cilësuar atë si të papranueshëm.
“UÇK ka bërë luftë çlirimtare, pra nuk është në emrin tim e as në emrin tonë. Pra Kuvendi duhet t’i shfrytëzojë këto ditë edhe nëse nuk i krijon institucionet, e që t’i bashkohet zërit të qytetarëve”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se qëllimi ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe se, sipas tij, vendi tashmë është në proces zgjedhor.
“Qëllimi ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe jemi në zgjedhje realisht, por do të ishte e turpshme që t’i lëmë këto ditë pa i shfrytëzuar, të paktën për me u bë bashkë me popullin, zërin e shqiptarëve”, deklaroi Haradinaj.