Aksion i madh kundër fajdesë në Prizren, ka të arrestuar

- Gazeta e Prizrenit

Aksion i madh kundër fajdesë në Prizren, ka të arrestuar

Policia në Prizren po vazhdon luftën kundër fajdesë me veprime konkrete dhe përkushtim.

Sektori Rajonal i Hetimeve/DRP-Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Prokurorinë Themelore në Prizren, dje ka realizuar një operacion policor për arrestimin e personave të dyshuar të përfshirë në veprën penale “Fajde”.

Gjatë veprimeve operative janë arrestuar:

• I dyshuari V.H., mashkull  49-vjeçar nga fshati Randobravë, Prizren për veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtje e paautorizuar e armëve”.

• I dyshuari  D. E., mashkull  37-vjeçar nga fshati Randobravë, Prizren për veprën penale “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.

Të dyshuarit dyshohet se kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj viktimës, duke e detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij dhe duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Gjatë operacionit policor janë kontrolluar dy lokacione në fshatin Randobravë/Prizren, ku janë sekuestruar dëshmi materiale të rëndësishme për rastin.

Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ata janë dërguar në qendrën e mbajtjes në Prizren.

Policia e Kosovës thekson se bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe organet e drejtësisë është faktor vendimtar në luftën kundër fajdesë, detyrimit dhe veprimtarive tjera kriminale. Ftojmë të gjithë qytetarët, viktima apo dëshmitarë, që të mos hezitojnë të raportojnë rastet pranë policisë ose prokurorisë.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit