Prizren: Gjykimi për grabitjen e armatosur të argjendarisë në Suharekë – lexohen provat e prokurorisë

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Gjykimi për grabitjen e armatosur të argjendarisë në Suharekë – lexohen provat e prokurorisë

Sot në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka vazhduar gjykimi për rastin e grabitjes së armatosur të një argjendarie në Suharekë. Sërish, trupi gjykues dështoi që të siguroj prezencën e një dëshmitari të cilin prokuroria po e konsideron të rëndësishëm për procesin, raporton tëvë-1.

Siguria është në nivelin më të lartë.

Çdo kush që hyn në sallën e gjykatores në Prizren, i nënshtrohet kontrollit.

Këtu, u mbajt seanca gjyqësore ndaj pesë të akuzuarve, për grabitjen e armatosur në Suharekë, në nëntorin e vitit 2023.

Megjithatë, jo gjithçka shkoi sipas planifikimeve.

Gjykata nuk ka arritur të siguroj prezencën e dëshmitarit Mujë Lekaj, i cili nga prokuroria po konsiderohet dëshmitar i rëndësishëm.

“Ai duhet të jetë prezent për ta dhënë deklaratën kështu që nuk heqi dorë nga propozimi që i njëjti të dëgjohet përpara trupit gjykues sa i përket rrjedhës së mëtejme të provave mund të vendosni çka më tutje” , tha prokurorja Ervehe Gashi.

Megjithatë, kryetari i trupit gjykues tha se sigurimi i prezencës së dëshmitarit Lekaj ka qenë i pamundur.

Kështu u vendos që të konsiderohet si e lexuar dëshmia e tij e dhënë në polici.

Shqyrtimi gjyqësor vazhdoi me leximin e afër 40 provave material të prokurorisë. (

Këto u përcollën me vërejtje nga avokatët.

“Kemi vërejtje sa i përket provave materiale kisha dashë me cek faqen 10 ku thuhet raporti informues mbi analizën e hyrje daljeve me nr rastit 2023 gb 810 i datës 17.12.2024 për Trim Barakun, Besart Istrefin dhe Leutrim Cakolli dhe raporti informues mbi analizimin e hartografisë hyrje dalje dhe incizime nga kamerat e sigurisë me nr rasti 2023 gb 810 dhe r 2023 i datës 5.12.2024 ku thuhet se kemi video  por nuk ka”, tha avokati i Trim Barakut, Ilir Ramaj.

“Aty thuhet se janë nisë drejt Prishtinës me dy vetura Tauran dhe Golf 7, i cili ka qenë në shfrytëzim të të mbrotjturit tim por që nga raporti informues i datës 5.12.2024 nuk ekziston asnjë foto apo video e cila vërteton pretendimin e Prokurorisë se kjo veturë është nisur bashkë me veturën Tauran nga i njëjti vend por që ekzistojnë vetëm video incizime të përshkruara në raport”, tha Asdren Bytyqi, avokat i Bujar Bashës

Kërkesa e avokatëve që këto prova të prezantohen në seancën e ardhshme, u miratua nga trupi gjykues.

Kështu, javën e ardhshme do të shikohen video-incizimet.

Sipas aktakuzës, pesë të pandehurit, Korab Gashi, Bujar Basha, Besart Istrefi, Leutrim Cakolli dhe Trim Baraku, me përdorim të forcës dhe kanosjes serioze për të sulmuar jetën e personit tjetër, duke vepruar si anëtarë të grupit të armatosur, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personave tjerë, me qëllim të dobisë pasurore për anëtarët e tjerë të grupit. / tëvë-1.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit