FBK dënon fuqishëm incidentin e raportuar pas ndeshjes KB Sigal Prishtina – KB Golden Eagle Ylli
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK), reagoi duke njoftuar se e ka pranuar me shqetësim të thellë raportimin lidhur me incidentin e rëndë të ndodhur më 4 tetor 2026, pas përfundimit të ndeshjes ndërmjet KB Sigal Prishtina dhe KB Golden Eagle Ylli në Prishtinë, ku është raportuar se gjyqtarët e ndeshjes janë përballur me ofendime, kërcënime dhe sulm fizik gjatë largimit nga palestra.
FBK dënon fuqishëm çdo formë të dhunës, kërcënimit, frikësimit apo presionit ndaj gjyqtarëve, zyrtarëve të ndeshjeve dhe të gjithë pjesëmarrësve në basketboll.
Siguria, integriteti fizik dhe dinjiteti i gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjeve janë të panegociueshme. Dhuna nuk ka dhe nuk do të ketë vend në basketbollin e Kosovës.
Menjëherë pas pranimit të raportimit nga gjyqtarët, Federata e ka adresuar rastin edhe në Këshillin për Sport, duke kërkuar ndërmarrjen e masave për identifikimin dhe trajtimin ligjor të personave të përfshirë në incident.
Paralelisht me veprimet e institucioneve të rendit dhe drejtësisë, FBK do ta trajtojë rastin edhe në kuadër të kompetencave të veta dhe në përputhje me Rregulloren Disiplinore dhe aktet tjera normative në fuqi.
Raportimi i gjyqtarëve, reagimi zyrtar i Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës (SHGJBK), si dhe dokumentacioni dhe provat tjera relevante do të përfshihen në trajtimin institucional të rastit dhe do ti procedohen organit kompetent disiplinor të FBK-së.
Në kuadër të procedurës do të kërkohet sigurimi dhe administrimi i të gjitha provave relevante, përfshirë deklarimet e personave të përfshirë dhe dëshmitarëve, dokumentacionin përkatës dhe materialet eventuale audio-vizuale. Do të shqyrtohet dhe përcaktohet, mbi bazën e fakteve dhe provave, përgjegjësia eventuale individuale e personave të raportuar si të përfshirë, si dhe përgjegjësia eventuale e organizatës së basketbollit në aspektin e organizimit dhe sigurisë së ndeshjes.
FBK pret bashkëpunim të plotë nga të gjitha palët në mënyrë që faktet dhe rrethanat e incidentit të sqarohen në tërësi.
Federata do të respektojë pavarësinë e organeve të saj disiplinore dhe të drejtën e secilës palë për tu dëgjuar dhe për të paraqitur provat dhe argumentet e veta. Për këtë arsye, FBK nuk do të paragjykojë përgjegjësinë individuale apo institucionale para përfundimit të procedurave përkatëse.
Megjithatë, nëse përgjegjësia vërtetohet, FBK do të zbatojë me vendosmëri masat e parapara me aktet e saj normative, pa marrë parasysh pozitën, funksionin apo përkatësinë e personave të përfshirë.
Fakti që rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës dhe po trajtohet nga institucionet kompetente nuk e përjashton trajtimin e tij të pavarur në kuadër të procedurave disiplinore të FBK-së. Rregullorja Disiplinore përcakton se zhvillimi eventual i procedurës penale nuk e përjashton kompetencën e FBK-së për zhvillimin e procedurës disiplinore.
Në të njëjtën kohë, FBK do të ndërmarrë hapa për të shqyrtuar dhe përforcuar masat e sigurisë për gjyqtarët dhe zyrtarët e ndeshjeve, para, gjatë dhe veçanërisht pas përfundimit të ndeshjeve. Në rastet kur vlerësohet e nevojshme, këto masa do të përfshijnë koordinim shtesë me organizatorët, personelin e sigurisë dhe Policinë e Kosovës.
FBK rikujton të gjitha klubet, drejtuesit e tyre, lojtarët, trajnerët, tifozët dhe pjesëtarët e tjerë të komunitetit të basketbollit se mospajtimi me një vendim të gjyqtarit, rezultatin e një ndeshjeje apo cilëndo çështje sportive nuk mund, në asnjë rrethanë, të justifikojë ofendimin, kërcënimin, presionin apo dhunën fizike.
Gjyqtarët janë pjesë thelbësore e basketbollit dhe duhet të jenë në gjendje ta ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur, profesionale dhe pa frikë për sigurinë e tyre.
FBK u uron gjyqtarëve të përfshirë në incident shërim të shpejtë dhe u shpreh mbështetjen institucionale në këtë situatë.
Federata e Basketbollit e Kosovës do ta informojë komunitetin e basketbollit dhe opinionin publik për veprimet dhe vendimet që do të merren nga organet kompetente, duke respektuar integritetin dhe konfidencialitetin e procedurave.
Federata e Basketbollit e Kosovës mbetet e vendosur në mbrojtjen e integritetit të garave dhe të sigurisë së çdo pjesëmarrësi në basketboll.
Dhuna nuk ka vend në basketboll, kërcënimi nuk është pjesë e sportit, siguria dhe integriteti i pjesëmarrësve në basketboll janë të panegociueshme.
Federata e Basketbollit e Kosovës
Prishtinë, 5 tetor 2026