Policia: Gjashtë zyrtarë të lënduar dhe tre protestues të shoqëruar nga protesta

- Gazeta e Prizrenit

Policia: Gjashtë zyrtarë të lënduar dhe tre protestues të shoqëruar nga protesta

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë protestës së zhvilluar të hënën në mbrëmje pranë institucioneve shtetërore në Prishtinë, gjashtë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime, ndërsa tre protestues janë shoqëruar në stacion policor.
Sipas Policisë, gjatë protestës janë hedhur vazhdimisht mjete piroteknike, fishekzjarre dhe mjete të forta në drejtim të objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, si dhe në disa raste ndaj zyrtarëve policorë.

Policia thotë se, për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, ka ndërhyrë disa herë ndaj protestuesve që, sipas saj, kanë shfaqur dhunë. Në ndërhyrje janë përdorur pajisje policore, përfshirë gazin lotsjellës dhe topin e ujit për shpërndarjen e turmës.

Për shkak të situatës së krijuar, Policia ka njoftuar se në intervale të ndryshme kohore ka ndaluar qarkullimin e automjeteve në disa rrugë përreth qendrës së Prishtinës, në zonat ku po zhvillohej protesta


Sipas të dhënave të Policisë, tre persona janë shoqëruar në stacion policor për shkak të zhvillimeve gjatë protestës dhe mosrespektimit të thirrjeve për qetësi. Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejme ndaj tyre do të ndërmerren në koordinim me organet e drejtësisë.

Ndërkohë, gjashtë zyrtarë policorë kanë marrë lëndime të natyrave të ndryshme, pasi, sipas Policisë, ndaj tyre janë hedhur mjete të ndryshme gjatë protestës. Të gjithë zyrtarëve të lënduar u është ofruar trajtim mjekësor.
Ndihmë mjekësore kanë kërkuar edhe 11 qytetarë apo protestues. Policia ka theksuar se këto të dhëna mund të ndryshojnë varësisht nga zhvillimet e mëtejshme në terren.

Në komunikatën e saj, Policia e Kosovës ka deklaruar se nuk ka ndërhyrë ndaj protestuesve që kanë protestuar në mënyrë të qetë dhe demokratike, por vetëm në rastet kur, sipas saj, është shfaqur dhunë ndaj institucioneve dhe zyrtarëve policorë.

“Protesta edhe në këto orë të vona është duke vazhduar”, thuhet në njoftim, ndërsa Policia ka bërë të ditur se situata aktualisht është e qetë dhe se zyrtarët policorë do të vazhdojnë të qëndrojnë në terren.
Sipas Policisë, prioritet mbetet garantimi i rendit dhe sigurisë publike, mbrojtja e pronës publike dhe private, si dhe mundësimi i zhvillimit të protestës në mënyrë të qetë dhe brenda suazave ligjore.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit