Shkelja me skanerin “Canon”, anulohet tenderi i Komunës së Prizrenit

- Gazeta e Prizrenit

Shkelja me skanerin “Canon”, anulohet tenderi i Komunës së Prizrenit

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka anuluar njoftimin për dhënien e kontratës nga Komuna e Prizrenit për furnizim me pajisje të teknologjisë informative dhe ka urdhëruar që aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim, shkruan Kujdestari.

Vendimi i Panelit Shqyrtues të OSHP-së, i datës 28 shtator 2026, lidhet me ankesën e operatorit ekonomik ARITECH SH.P.K. ndaj vendimit të Komunës së Prizrenit për tenderin me numër 622-26-5095-5-5-8, që kishte të bënte me furnizimin me pajisje të teknologjisë informative.

Sipas vendimit, Komuna e Prizrenit kishte rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik INFINITT SH.P.K.. Kompania ARITECH e kishte kundërshtuar këtë vendim, duke pretenduar se operatori i rekomanduar nuk i kishte përmbushur disa nga kërkesat e përcaktuara në dokumentacionin e tenderit dhe në Marrëveshjen Publike Kornizë të AQP-së. (DOKUMENT)

OSHP gjeti problem te marka Canon

Një nga çështjet kryesore të shqyrtuara nga OSHP ishte autorizimi për markat e produkteve.

Sipas vendimit, INFINITT SH.P.K. ishte i kualifikuar në AQP për brendin HP, ndërsa në specifikimet teknike të Komunës së Prizrenit ishte kërkuar, në pozicionin 4, skaner Canon.

Ekspertja shqyrtuese iu drejtua Administratës Qendrore të Prokurimit (AQP) për të verifikuar këtë çështje. Përgjigjja zyrtare e AQP-së konfirmoi se INFINITT ishte i kualifikuar për brendin HP dhe nuk mund të ofertonte me brende për të cilat nuk ishte i autorizuar. Po ashtu, AQP kishte konfirmuar se skanerët nuk ishin pjesë e Marrëveshjes Kornizë, ndërsa në specifikimin e Komunës ishte kërkuar skaner Canon.

Pikërisht për këtë arsye, OSHP e vlerësoi të bazuar këtë pretendim të kompanisë ankuese.

Komuna kishte refuzuar ankesën e parë

Para se rasti të shkonte në OSHP, ARITECH kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim te vetë Autoriteti Kontraktues.

Komuna e Prizrenit e kishte refuzuar kërkesën si të pabazuar, duke argumentuar se Komisioni Vlerësues kishte vepruar në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik, dosjen e tenderit dhe specifikimet teknike.

Komuna kishte deklaruar gjithashtu se nuk kishte konstatuar mospërputhje që do të përbënin bazë për eliminimin e operatorit të rekomanduar.

Megjithatë, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe marrjes së sqarimeve nga AQP-ja, eksperti shqyrtues i OSHP-së rekomandoi që ankesa të aprovohej dhe njoftimi për dhënien e kontratës të anulohej, ndërsa lënda të kthehej në rivlerësim.

OSHP: Komuna nuk veproi në përputhje me ligjin

Në përfundim, Paneli Shqyrtues konstatoi se Autoriteti Kontraktues nuk kishte vepruar në përputhje me dispozitat ligjore për prokurimin publik dhe kërkesat e dosjes së tenderit.

Paneli i dha besim të plotë konstatimeve të ekspertit shqyrtues dhe vendosi që ankesa e ARITECH të aprovohej si pjesërisht e bazuar, të anulohej njoftimi për dhënien e kontratës dhe procedura të kthehej në rivlerësim.

OSHP ka obliguar Komunën e Prizrenit që brenda 10 ditësh ta informojë këtë institucion për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me procedurën. Në të kundërtën, OSHP ka paralajmëruar se mund të ndërmarrë masa ndaj Autoritetit Kontraktues për mosrespektim të vendimit.

Vendimi i është dorëzuar Komunës së Prizrenit, operatorit ekonomik ARITECH dhe arkivës së OSHP-së.

Pra, tenderi nuk është lënë në fuqi në formën e vendosur nga Komuna e Prizrenit: vendimi për dhënien e kontratës është anuluar dhe procedura duhet të rivlerësohet./Kujdestari.info/



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit