Dy mekanizma të rinj në Prokurorinë e Shtetit – në fokus aktakuzat e rrëzuara dhe integriteti i prokurorëve

- Gazeta e Prizrenit

Dy mekanizma të rinj në Prokurorinë e Shtetit – në fokus aktakuzat e rrëzuara dhe integriteti i prokurorëve

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi, ka marrë vendim për themelimin e dy mekanizmave të rinj brenda Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, me qëllim të mbikëqyrjes së punës dhe mbrojtjes së integritetit të prokurorëve.

Bëhet fjalë për Mekanizmin Mbikëqyrës të Punës së Prokurorit të Shtetit dhe Mekanizmin e Mbrojtjes së Integritetit të Prokurorit të Shtetit.

Mekanizmi i parë do të analizojë cilësinë e akteve akuzuese të hedhura me vendime gjyqësore të formës së prerë, si dhe aktakuzat që kanë përfunduar me aktgjykime liruese apo refuzuese.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet rasteve me prioritet, përfshirë ato të korrupsionit të nivelit të lartë.

Prokurorët e angazhuar në këtë mekanizëm do të japin rekomandime profesionale për rastet e analizuara, të cilat do t’i përcillen Kryeprokurorit të Shtetit. Synimi është ngritja e cilësisë së punës, unifikimi i praktikave institucionale dhe evitimi i lëshimeve eventuale profesionale.


Ndërkaq, Mekanizmi i Mbrojtjes së Integritetit do t’u ofrojë mbrojtje institucionale dhe profesionale prokurorëve në rastet kur përballen me ndikime të paligjshme të brendshme apo të jashtme, cenim të pavarësisë profesionale, sulme, linçime apo fushata denigruese për shkak të veprimeve të ndërmarra gjatë ushtrimit të detyrës.

Krijimi i këtyre dy mekanizmave ishte pjesë e prioriteteve të paraqitura nga Gashi në konceptdokumentin e tij.

Po ashtu, Kryeprokurori ka caktuar prokurorin Veton Shabani koordinator nacional për zgjedhje, ndërsa prokurorin Ersan Qavolli koordinator nacional për rastet e dhunës në familje./GS



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit