Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj 12 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor për Mbikqyrje të Kufirit Qafë Prush dhe një zyrtari doganor, u dëgjuan dëshmitarët Halil Ademi, Armend Neziri, Miftar Rexhaj dhe Avni Shehu, të mërkurën u dëgjua dëshmitari Bajram Morina, i cili pranoi se ia kishte ofruar 20 euro ryshfet njërit zyrtar në kufi për të mos e vendosur në karantinë, por nuk arriti ta identifikojë nëse është ndonjëri nga të akuzuarit në seancë.
12 zyrtarët policorë të akuzuar në këtë rast janë: Artan Thaqi, Agron Bejtullahu, Afrim Deda, Avdi Përolli, Benon Këpuska, Isa Ibrahimi, Kreshnik Arllati, Malë Berisha, Mehmet Manxhuka, Sami Hajdari, Shaqir Krasniqi dhe Uran Mati, si dhe dy zyrtari i Doganës, Senad Zherka, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktakuza në këtë rast e ngarkon edhe të akuzuarin Enis Turtulla, por për të në seancën e datës 24 shtator 2026 ishte veçuar procedura.
Dëshmitari Bajram Morina tha se i kujtohet deklarata dhe incizimi i cili i është ofruar për shikim gjatë dhënies së deklaratës në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).
Dëshmitari tha se atëkohë ka punuar në Shqipëri me familje, dhe duke u kthyer në Kosovë, zyrtarët kufitarë me rastin e dorëzimit të dokumenteve e kishin pyetur se a e ka marrë vaksinën e tretë (kundër COVID-19), e të cilën dëshmitari nuk e kishte marrë.
Rrjedhimisht, sipas tij, zyrtari i kishte thënë se duhet të hyjë në karantinë. Andaj, Morina e kishte lutur që mos të detyrohet të hyjë në karantinë për arsye shëndetësore të bashkëshortes.
Zyrtari, sipas dëshmitarit, kishte thënë se njëri nga ta duhet të hyjë në karantinë dhe pastaj kishte kërkuar që dëshmitari ta hapë bagazhin.
Në ndërkohë, gjatë deklarimit të dëshmitarit, kryetari i trupit gjykues Lutfi Shala e njoftoi dëshmitarin për të drejtën të mos përgjigjet në pyetje ku mund ta inkriminojë veten.
Morina theksoi se pas hapjes së bagazhit i ofroi zyrtarit një kafe në këmbim të mosdetyrimit për karantinë, për arsyet e shëndetit të bashkëshortes. Kësaj, sipas dëshmitarit, zyrtari iu përgjigj duke i kërkuar të hyjë brenda pasi që “jashtë ka kamera”.
Brenda, ai tha se ishte vetëm dëshmitari dhe zyrtari, ku ky i pari ia la 20 euro, dhe pastaj dëshmitarit iu lejua kalimi i kufirit pa problem.
Gjyqtari Shala, e udhëzoi dëshmitarin të kthehet mbrapa dhe të shikojë të gjithë të akuzuarit, me qëllim që të indentifikojë zyrtarin në fjalë, por dëshmitari nuk arriti ta identifikojë. Por, zyrtarin të cilit ia kishte dhënë parëm e përshkroi si në moshë, të plotë, dhe rreth 1.70 centimetra i gjatë.
Në këtë seancë munguan dëshmitarët H.H., i cili ka ndërruar jetë, si dhe Gazmend Ferizi, Kristian Nikaj, Betim Jetishi, Merita Shehu, Arian Shehu, Arbër Shehu, për të cilët u tha se nuk janë lajmëruar në telefon, ani pse kanë qenë të njoftuar për seancën; ndërsa dëshmitari Haki Bajrami gjenden në burg.
Lidhur me dëshmitarët që munguan në seancë, prokurorja speciale Hebibe Salihi propozoi që deklaratat e tyre të lexohen.
Më pas, trupi gjykues i përbërë nga Lutfi Shala– kryetar, Kujtim Krasniqi dhe Vesel Ismajli– anëtarë, vendosi t’i jepet mbrojtjes kohë që të vlerësojnë propozimin e prokurores, por dhe eventualisht nëse kanë propozime për plotësimin e provave personale.
Në seancën fillestare të mbajtur më 21 shkurt 2024, 14 të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.
Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 26 dhjetor 2023, thuhet se nga muaji gusht deri në dhjetor të vitit 2021, në pikën kufitare Qafë Prush, të akuzuarit e lartpërmendur në cilësi të personave zyrtarë, kanë bashkëvepruar me njëri-tjetrin duke marrë ryshfet shuma të ndryshme parash.
Sipas akuzës, të akuzuarit-zyrtarët policorë u kishin mundësuar qytetarëve hyrje-daljen në pikën kufitare të lartcekur, pa iu nënshtruar fare procedurave ligjore në fuqi në kundërshtim me kushtet për hyrjen në Kosovë që lidheshin me masat kundër pandemisë COVID-19.
Ndërsa, dy doganierët Zherka dhe Trutulla, ngarkohen se me qëllim të përftimit të kundërligjshëm kishin vepruar në kundërshtim me Kodin Doganor dhe Akcizave të Kosovës, duke lejuar hyrjen mallrave të ndryshme pa iu nënshtruar mbikëqyrjes doganore.
Me këto veprime, 14 të akuzuarit po ngarkohen se kanë kryer veprën penale në vazhdim “Marrje Ryshfeti” në bashkëkryerje nga neni 421, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 lidhur me nenin 31 dhe nenin 77 paragrafi 1, paragrafi 1.2, 1.3, 1.4, 1.5 dhe paragrafi 5 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Detajet nga deklaratat e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre në IPK dhe Prokurori, mund t’i gjeni: KËTU. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.