Telefonata për këstin e kredisë përfundon me kanosje në Leposaviq: “Mos ma shqetëso familjen...”

- Gazeta e Prizrenit

Telefonata për këstin e kredisë përfundon me kanosje në Leposaviq: “Mos ma shqetëso familjen...”

Një rast i kanosjes është raportuar më 6 tetor në Leposaviq, pasi një punëtore e një institucioni bankar ka deklaruar se është kërcënuar gjatë një komunikimi telefonik lidhur me një kredi të papaguar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima, I.V, kishte tentuar të kontaktonte një kliente lidhur me mospagesën e këstit të kredisë, por kjo e fundit nuk i ishte përgjigjur telefonatës.

Më pas, ajo kishte kontaktuar nënën e klientes, e cila sipas informatave ishte garantuese e kredisë.

Gjatë kësaj telefonate, dyshohet se telefonin e ka marrë Z. K, e cila sipas denoncimit i është drejtuar punëtores së bankës me fjalët kërcënuese: “Mos ma shqetëso familjen ose kam për të të prerë.”

Rasti është raportuar në Stacionin Policor në Leposaviq rreth orës 20:00, ndërsa janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore.

 

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “Kanosje”.

E dyshuara do të trajtohet në procedurë të rregullt, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit