Prizren: Po pastronte armën e kushëririt, përfundon i plagosur – dy pistoleta e 27 fishekë sekuestrohen

- Gazeta e Prizrenit

Prizren: Po pastronte armën e kushëririt, përfundon i plagosur – dy pistoleta e 27 fishekë sekuestrohen

Një incident me armë zjarri është raportuar më 10 tetor në fshatin Caparc të Prizrenit, ku një i ri ka mbetur i plagosur në këmbë pasi arma që po pastronte dyshohet se ka shkrepur aksidentalisht.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 15:10, Policia është njoftuar nga Spitali Rajonal i Prizrenit se një qytetar ishte plagosur me armë zjarri.

I lënduari është identifikuar si V. Sallauka, i cili sipas mjekut kujdestar kishte pësuar plagë në këmbën e majtë dhe ndodhej jashtë rrezikut për jetë.

Sipas deklarimit të A. Sallaukës, arma ishte në pronësi të tij dhe ai posedonte leje për të. Ai ka deklaruar se kushëriri i tij e kishte marrë armën për ta pastruar dhe se gjatë kësaj kohe ajo kishte shkrepur aksidentalisht.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësia e hetimeve dhe Krim-teknika, të cilat kanë kryer këqyrjen dhe sekuestrimin e provave.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar dy pistoleta, dy karikatorë të zbrazët, 27 fishekë, një gëzhojë dhe një predhë.

Të gjitha provat janë marrë për procedura të mëtejshme hetimore.

Me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe po trajtohet në procedurë të rregullt.

Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit