Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me komunikatë zyrtare lidhur me rastin e kanosjes ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj, duke konfirmuar se Gani Geci është ndaluar për 48 orë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Gani Geci është ndaluar me urdhër të prokurorit kujdestar, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Kanosja”, nga neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas dyshimeve fillestare, Geci dyshohet se ka kanosur gazetarin Lirim Mehmetaj për shkak të ushtrimit të detyrës dhe profesionit të tij.
Në komunikatën e lëshuar më 13 tetor 2026, Prokuroria ka bërë të ditur se në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar gazetari Lirim Mehmetaj dhe i dyshuari Gani Geci, me qëllim të grumbullimit të informatave relevante lidhur me rastin.
Gjithashtu, prokurori i çështjes ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave dhe sigurimit të provave për zhvillimin e procedurës së mëtejshme.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe garantimin e sigurisë së tyre, si dhe në respektimin e plotë të lirisë së shprehjes”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.