Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave, të dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe kontrabandim me migrantë.
Sipas aktakuzës, të pandehurit B.H., A.B., Sh.T., E.Zh., G.Sh., A.M. dhe L.A. dyshohet se gjatë viteve 2023–2024 kanë vepruar si pjesë e një grupi kriminal të organizuar në territorin e Kosovës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm material përmes kontrabandimit të migrantëve.
Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se kanë vepruar brenda një strukture të qëndrueshme kriminale, me role të ndara, planifikim paraprak dhe koordinim të vazhdueshëm, duke organizuar dhe mundësuar kontrabandimin e shtetasve të huaj.
Bëhet fjalë për migrantë nga Siria, Afganistani, Iraku dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme dhe të Azisë, të cilët, sipas aktakuzës, nuk posedonin dokumentacion të rregullt për hyrje ose qëndrim në Republikën e Kosovës.
Prokuroria pretendon se të pandehurit i kanë siguruar migrantët në territorin e Shqipërisë dhe më pas i kanë futur në mënyrë të kundërligjshme në Kosovë, jashtë pikave të autorizuara kufitare. Sipas aktakuzës, kalimi është realizuar përmes shtigjeve malore dhe rrugëve alternative në zonën Gorozhup–Vërmicë.
Për secilin migrant, sipas aktakuzës, është paguar një shumë deri në 4 mijë euro për të gjithë itinerarin e migrimit drejt Evropës.