Ia mori 450 euro një gruaje – prezantohej si toger i Policisë

- Gazeta e Prizrenit

Ia mori 450 euro një gruaje – prezantohej si toger i Policisë

Një person është arrestuar në Fushë Kosovë, pasi dyshohet se duke u prezantuar si toger i Policisë së Kosovës, i ka marrë 450 euro një gruaje, me arsyetimin se paratë nevojiteshin për blerjen e peletit.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 16 tetor, ndërsa ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë.

Viktima, një grua kosovare, ka deklaruar se i dyshuari e kishte kontaktuar përmes telefonit dhe, duke u prezantuar si zyrtar policor me gradën e togerit, i kishte kërkuar që t’ia jepte një personi tjetër shumën prej 450 eurosh.

Gruaja, duke rënë në lajthitje, ia kishte dhënë paratë të dyshuarit, i cili më pas ishte larguar në drejtim të panjohur me një veturë.

Sipas Policisë, vetura ishte marrë me qira disa ditë më parë në Gjilan nga një qytetar kosovar, të cilit i dyshuari nuk ia kishte kthyer atë.

Njësitet policore kanë arritur ta identifikojnë, ndalojnë dhe arrestojnë të dyshuarin, së bashku me veturën që dyshohet se po e keqpërdorte.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit