Ryshfet për hyrje Kosovë-Shqipëri gjatë pandemisë – nis seanca ndaj Ahmet Kasumajt dhe 22 policëve të tjerë

- Gazeta e Prizrenit

Ryshfet për hyrje Kosovë-Shqipëri gjatë pandemisë – nis seanca ndaj Ahmet Kasumajt dhe 22 policëve të tjerë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca e sotme në gjykimin ndaj Ahmet Kasumajt dhe 22 zyrtarëve të tjerë policorë, të akuzuar për marrje ryshfeti, ndërsa disa prej tyre edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.

Salla e gjykimit është mbushur në procesin ndaj policëve që kishin shërbyer në pikën kufitare “Qafë Morinë”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, nga gushti i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, të akuzuarit dyshohet se kishin pranuar para nga qytetarë të Kosovës dhe Shqipërisë për t’ua mundësuar hyrjen në territorin e Kosovës, pa verifikuar nëse i plotësonin kushtet për kalim.

Prokuroria pretendon se këto veprime ishin në kundërshtim me rregullat për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit, si dhe me masat qeveritare për parandalimin e pandemisë COVID-19.

Të gjithë të akuzuarit ngarkohen për marrje ryshfeti, individualisht apo në bashkëkryerje. Ndërkaq, Ahmet Kasumaj, Agim Hadërgjonaj, Mergim Bekaj, Ismet Tahiraj, Isa Dobraj dhe Fatmir Sadiku akuzohen edhe për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.


Në mesin e provave të renditura në aktakuzë janë edhe video-incizime dhe komunikime që, sipas Prokurorisë, dëshmojnë veprimet e pretenduara.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit