Sezoni i gjuetisë për vitin 2026–2027 do të hapet më 25 tetor në Kosovë. Kjo është bërë e ditur përmes një vendimi të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, i nënshkruar nga ministri Armend Muja.
Sipas vendimit, sezoni i gjuetisë do të jetë i hapur për llojet e caktuara të kafshëve të egra, ndërsa aktivitetet do të zhvillohen në vendgjuetitë që i kanë të miratuara planet vjetore të menaxhimit për sezonin 2026–2027.
Në listën e publikuar janë përfshirë 26 vendgjueti në 19 komuna të Kosovës, raporton Telegrafi.
Sipas listës së bashkëngjitur vendimit, gjuetia do të lejohet në këto vendgjueti:
Vendimi përcakton se gjuetia duhet të zhvillohet në përputhje me Ligjin për Gjuetinë dhe aktet e tjera ligjore në fuqi, duke respektuar kalendarin e gjuetisë për secilin lloj të kafshëve të egra, shkruan Telegrafi.
Po ashtu, në vendim theksohet se gjuetia mund të organizohet vetëm nga menaxherët e vendgjuetive që kanë të hartuara dhe të miratuara planet përkatëse të menaxhimit.
Pjesëmarrja në gjueti do të lejohet vetëm për gjuetarët që i plotësojnë kushtet ligjore, përfshirë provimin për gjuetarë dhe lejen përkatëse nga menaxheri i vendgjuetisë.
Menaxherët obligohen gjithashtu të evidentojnë dhe raportojnë çdo kafshë të gjahut të vrarë, si dhe dyshimet për sëmundje eventuale te kafshët e egra.
Sipas vendimit, aktivitetet e gjuetisë organizohen vetëm gjatë ditëve të lejuara me ligj, ndërsa ndalohet çdo veprim që bie ndesh me dispozitat ligjore për mbrojtjen dhe menaxhimin e faunës së egër, shkruan telegrafi.
Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit dhe parasheh mbikëqyrjen e zbatimit nga organet kompetente të Ministrisë së Bujqësisë, përkatësisht Departamenti Qendror i Inspekcionit për Pylltari dhe Gjueti, në bashkëpunim me institucionet përkatëse.