Një ngjarje skandaloze ka ndodhur në “Spitali Amerikan 2” (American Hospital Kosova II) në Graçanicë, ku një foshnje e sapolindur është ngatërruar nga stafi mjekësor dhe nënës i është dorëzuar në shtrat një foshnje tjetër.
“Në këtë hulumtim kemi raportuar edhe se si Spitalit Amerikan 2” nuk i është shqiptuar gjobë nga inspektorja shëndetësore e rastit, Vjollca Jusufi, përkundër konstatimit të kësaj shkelje të rëndë nga spitali i biznesmenit nga Shqipëria, Klodian Allajbeu.
Përmes një deklaratë për media, Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar si të vërtetë gjithë raportimin e Veriu.info, duke treguar se kanë marrë edhe masa ndaj inspektores së rastit.
“Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Deklarata për media e Ministrisë së Shëndetësisë:
Në përgjigje të interesimit tuaj për rastin e foshnjave në Spitalin Amerikan 2 në Graçanicë, Ministria e Shëndetësisë, së bashku me Inspektoratin Shëndetësor, ju informon si vijon:
Inspektorati Shëndetësor ka inspektuar rastin e ndërrimit të foshnjave, të ndodhur më 18 mars 2026. Inspektimi ka evidentuar mangësi në procedurat e identifikimit dhe verifikimit të foshnjës gjatë dorëzimit te nëna.
Nga kontrolli i dokumentëve është konstatuar gjithashtu se infermierja, ndonëse posedon licencë të vlefshme pune, nuk ishte e deklaruar në sistemin e Departamentit të Licencimit dhe Akreditimit (DLA).
Pas shqyrtimit të mënyrës së trajtimit të rastit, janë evidentuar mangësi edhe në veprimet e zyrtarëve të Inspektoratit Shëndetësor. Për këtë, Kryeinspektori Shëndetësor ka ndërmarrë këto masa:
• Inspektorja e rastit është referuar në Komisionin Disiplinor për shqyrtimin e shkeljes së dyshuar.
• Zyrtarit të arkivit i është shqiptuar vërejtje me shkrim.
• Përgjegjësit të Inspektoratit Shëndetësor i është shqiptuar vërejtje me gojë.
Ministria shpreh keqardhje për shqetësimin dhe pasigurinë e shkaktuar familjes së prekur. Institucionet përgjegjëse do të monitorojnë zbatimin e masave dhe rekomandimeve./Veriu.info