Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte

- Gazeta e Prizrenit

Millorad Gjokoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte

Kryetarja e trupit gjykues, Donika Shala-Abdyli shpalli fajtor Millorad Gjokoviqit për krime lufte ndaj popullsisë civile.

Ai në Gjykatën Themelore në Prishtinë u dënua me 10 vjet burgim.

“Gjykata shpall këtë aktgjykim: Në emër të popullit, i akuzuari Milorad Gjokoviq shpallet fajtor, sepse në periudhën e luftës në Kosovë, më 7 maj 1999, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës, i akuzuari, në cilësinë e policit rezervë, me persona të tjerë, i ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare. Gjykata, në bazë të dispozitave të Ligjit Penal të ish-Jugosllavisë, të akuzuarin e dënon me 10 vjet burgim, ku do t’i llogaritet edhe koha e paraburgimit”, tha ajo.

Trupi gjykues më 27 korrik të këtij viti kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor në këtë rast penal, pasi në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ishte gjetur deklarata e dëshmitares Nurije Krasniqi, të cilën ajo kishte thënë se e kishte dhënë në polici pas përfundimit të luftës.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohej se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim, Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Ai akuzohej edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Sipas Prokurorisë, ata kishin filluar të qëllonin me armë në drejtim të popullsisë civile, me ç’rast ishin vrarë gjashtë civilë shqiptarë: I.K., Sh.K., E.M., R.Sh., Z.Sh. dhe M.H.

Në aktakuzë thuhet se tre civilë të tjerë, A.G., H.G. dhe M.G., të plagosur nga të shtënat, fillimisht ishin transportuar në Spitalin e Pejës, por më pas ishin ekzekutuar dhe varrosur në fshatin Lutogllavë.

Po ashtu, pesë civilë shqiptarë, R.K., Z.K., A.K., A.K. dhe A.Sh., ishin vrarë gjatë ofensivës, por trupat e tyre nuk ishin gjetur dhe ata vazhdonin të figuronin si persona të zhdukur.

Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit