Zgjedhjet u kryen, faturat vazhdojnë t’i shkojnë shtetit: Afër gjysmë milioni euro për auditimin e financave të partive

- Gazeta e Prizrenit

Zgjedhjet u kryen, faturat vazhdojnë t’i shkojnë shtetit: Afër gjysmë milioni euro për auditimin e financave të partive

Në vitin 2025, qytetarët e Kosovës u ftuan disa herë ta shprehnin vullnetin në kutitë e votimit. Buxheti i shtetit, ndërkaq, nuk pati shumë zgjedhje, duhej të paguante. Pas miliona eurove për organizimin e proceseve zgjedhore, faturat vazhdojnë tw rrjedhin edhe këtë vit. Tash, afër gjysmë milioni euro janë paraparë të kushtojnë shërbimet për auditimin e raporteve financiare të partive politike për vitin e kaluar, shkruan Kujdestari.info.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë tre lote për auditim, me vlerë të përgjithshme prej 490.911,36 eurosh. Ato përfshijnë kontrollin e raporteve të fushatës së zgjedhjeve lokale të vitit 2025, raporteve financiare vjetore të subjekteve politike dhe raporteve të fushatës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.

Sipas dokumenteve të prokurimit, vendimi për dhënien e kontratës është marrë më 13 tetor 2026, ndërsa njoftimi përkatës është përgatitur më 20 tetor. Nënshkrimi i kontratës është planifikuar për 22 tetor 2026. Dokumentet dëshmojnë vlerën e loteve të dhëna, por jo se këto para janë paguar tashmë.

Mbi 263 mijë euro për auditimin e dy fushatave

Auditimi i raporteve të fushatës së zgjedhjeve lokale të vitit 2025 i është dhënë grupit të operatorëve ekonomikë Audit & Conto dhe Audit Check, me vlerë prej 132.301,60 eurosh.

I njëjti grup është shpallur fitues edhe për auditimin e raporteve të fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, me çmim prej 130.899,76 eurosh.

Ndërkaq, auditimi i raporteve financiare vjetore të subjekteve politike për vitin 2025 i është dhënë grupit ALBAUDIT dhe ProAudit, për 227.710 euro.

Në procedurë kanë marrë pjesë dy grupe operatorësh ekonomikë. Sipas tabelës së ofertave në vendimin e KQZ-së, për lotin e tretë, që mbulon fushatën e zgjedhjeve të dhjetorit, është paraqitur ofertë vetëm nga grupi Audit & Conto dhe Audit Check.

Vlera e parashikuar për tërë procedurën ishte 528 mijë euro, ndërsa shuma e loteve të dhëna është 37.088,64 euro më e ulët.

Megjithatë, jo e gjithë kjo faturë mund t’i atribuohet mbajtjes së disa palëve zgjedhje. Nga shuma e përgjithshme, 263.201,36 euro lidhen drejtpërdrejt me auditimin e dy fushatave, kurse 227.710 euro me auditimin vjetor të financave të partive. Në këtë procedurë nuk përfshihet auditimi i fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Tri procese zgjedhore brenda një viti

Gjatë vitit 2025, Kosova zhvilloi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, zgjedhjet lokale të 12 tetorit, me raundin e dytë më 9 nëntor, dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Për zgjedhjet parlamentare të shkurtit ishin planifikuar rreth 8,7 milionë euro, ndërsa shpenzimi i raportuar ishte rreth 7,9 milionë euro. Për zgjedhjet lokale, përfshirë të dy raundet, ishte planifikuar një buxhet prej rreth 10,5 milionë eurosh, sipas raportimit të KOHËS që iu referohej të dhënave të KQZ-së.

Një tjetër plan buxhetor milionësh u miratua për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit: 11.493.526 euro.

Planifikimi fillestar prej 7.771.486 eurosh u rrit pasi u përfshi dërgimi i pakove me fletëvotime në adresat e votuesve jashtë Kosovës. Vetëm për këtë shërbim postar u llogaritën rreth 3,72 milionë euro, bazuar në një parashikim prej rreth 84 mijë votuesish potencialë.

Shifrat tregojnë përmasën e barrës financiare, por nuk përbëjnë një total përfundimtar të shpenzimeve të realizuara. Për shkurtin ka një shpenzim të raportuar, ndërsa për lokalet dhe zgjedhjet e dhjetorit shifrat e mësipërme përfaqësojnë buxhete të planifikuara. Mbledhja e tyre dhe paraqitja si para të shpenzuara do të krijonte një pasqyrë të pasaktë.

Afër 300 mijë euro për auditimin e financave të partive në vitet 2023 dhe 2024

Shpenzimet për kontrollimin e financave të partive politike nuk janë të kufizuara vetëm në proceset zgjedhore të vitit 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), më 15 prill 2024, kishte nënshkruar kontratë me kompaninë “Audit & Conto” për auditimin e raporteve vjetore financiare të subjekteve politike për vitet 2023 dhe 2024. Sipas të dhënave të publikuara vlera e paraparë për auditimin e vitit 2023 ishte 147,500 euro, ndërsa për vitin 2024 ishte 143,960 euro. Kjo e çon vlerën e përgjithshme të kontratës në 291,460 euro. Ndërkohë, edhe raportet financiare të partive për vitin 2022 i ishin nënshtruar auditimit, të cilin KQZ-ja e kishte konfirmuar si të përfunduar në nëntor të vitit 2023.

Sa deklaruan partitë për fushatat?

Përveç kostos së organizimit, proceset zgjedhore u shoqëruan edhe me shpenzime të konsiderueshme nga subjektet politike.

Sipas raportimeve mbi raportet e audituara të publikuara nga KQZ-ja për zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje shpenzoi rreth 1,702 milionë euro, PDK-ja rreth 935 mijë euro, LDK-ja rreth 358,5 mijë euro, ndërsa koalicioni AAK–Nisma rreth 337 mijë euro.

Për zgjedhjet lokale, raportet e paaudituara paraqisnin 992.562 euro shpenzime nga LVV-ja, 272.772 euro nga PDK-ja, 203.045 euro nga LDK-ja dhe 24.187 euro nga AAK-ja.

Vetëm këto katër parti deklaruan së bashku rreth 1,49 milionë euro për fushatën lokale. Këto shifra mund të pësojnë saktësime gjatë auditimit dhe nuk përfaqësojnë totalin e të gjitha subjekteve pjesëmarrëse.

Për zgjedhjet e 28 dhjetorit, KOHA raportoi, duke iu referuar raporteve financiare të paaudituara të dorëzuara në KQZ, se katër partitë kryesore kishin shpenzuar së bashku mbi 660 mijë euro.

Në kategorinë e reklamave, përfaqësimit dhe konferencave, sipas të njëjtit raportim, LDK-ja kishte shpenzuar rreth 175 mijë euro, LVV-ja 145 mijë euro, PDK-ja 83 mijë euro, ndërsa AAK-ja 31 mijë euro. Këto janë shifra të një kategorie shpenzimesh dhe nuk përfaqësojnë totalin individual të fushatës për secilën parti, raporton Kujdestari.info.

Shpenzimet e partive për fushata nuk mund të konsiderohen automatikisht si shpenzime të financuara tërësisht nga buxheti i Kosovës. Subjektet politike financohen nga fondet publike, por edhe nga donacionet dhe kontributet. /Kujdestari.info/



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit