E ruante si kujtim nga babai i ndjerë, por prizrenasi përfundon në Polici, i sekuestrohet pushka e gjuetisë

- Gazeta e Prizrenit

E ruante si kujtim nga babai i ndjerë, por prizrenasi përfundon në Polici, i sekuestrohet pushka e gjuetisë

Një rast jo fort i zakonshëm i armëmbajtjes pa leje është regjistruar në fshatin Serbicë e Epërme të Prizrenit, ku një 48-vjeçar ka njoftuar vetë Policinë se në shtëpinë e tij mbante një pushkë gjuetie, të cilën e kishte trashëguar nga babai i ndjerë dhe e ruante si kujtim prej tij, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për A. Markin, 48 vjeçar, i cili ka raportuar vullnetarisht posedimin e armës, bashkë me 21 fishekë.

Ngjarja është regjistruar të premten, më 23 tetor 2026, ndërsa rreth orës 18:00, Marki ka njoftuar Policinë për armën që ndodhej në shtëpinë e tij.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, bëhet fjalë për një pushkë gjuetie njëtytëshe, për të cilën babai i tij kishte poseduar leje.

 

Pas vdekjes së të atit, 48-vjeçari e kishte mbajtur armën në shtëpi si kujtim familjar, por pa e rregulluar statusin e saj ligjor në emrin e tij.

Pas njoftimit, në shtëpinë e Markit kanë shkuar patrulla policore, hetuesit dhe njësia e forenzikës, të cilët kanë kryer veprimet përkatëse.

Gjatë intervenimit është sekuestruar pushka e gjuetisë, së bashku me 21 fishekët që ndodheshin në posedim të tij.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura penale për armëmbajtje pa leje.

Në informacionet e siguruara nga Sinjali nuk raportohet për ndalimin e 48-vjeçarit.

Rasti do të trajtohet në procedurë të mëtejshme nga organet kompetente.

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit