Derisa Inspektorati i mbyllte sytë përballë ndërtimeve pa leje për muaj të tërë, Drejtoria e Urbanizmit dyshohet se i mundësoi që një pjesë të këtij ndërtimi të kundërligjshëm ta bënte të ligjshëm.
Bazuar në dokumentacionin e siguruar nga dosja, investitorët kishin aplikuar për leje shtesë, ku përveç tri parcelave të shfrytëzuara për lejen e parë, tash për dy katet e tjera, ishin shtuar edhe dy parcela, 00199-3 dhe 00275-3, si dhe dy hisedar, Agim Shala dhe Fati Alu-Plast sh.p.k.
Mirëpo, përkundër se me Panin Rregullativ Urban të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prizrenit dhe vendimit për Kuadratin, nuk lejohej ndërtimi në këtë zonë më shumë sesa përdhesa dhe gjashtë kate, ndryshe veproi Drejtoria e Urbanizmit.
Bazuar në vendimin për leje ndërtimore të datës 27 tetor 2022, zyrtarja e Urbanizmit, Shpresa Osmanollaj i kishte lëshuar leje ndërtimore, duke i dhënë mundësinë e ndërtimit përveç të katit e 6-të edhe për penthouse.
Kjo përkundër se legjislacioni e parashihte këtë zonë si zona D1 dhe nuk lejohej ndërtimi më shumë sesa gjashtë kate.
Investitori Berisha pretendon se kanë arritur të pajisjen me leje për penthouse, duke u thirr në marrjen e bonuseve.
Marrëveshja për bonuset arrihet atëherë, kur pronarët privat, japin nga prona e tyre për qëllime komunale në të mirën e komunitetit si rrugë apo trotuare, dhe në këmbim investitorit i mundësohet më shumë hapësirë banimi për ndërtim në lartësi të objektit.
“Investitori Berisha: Tek ne nuk llogaritet kat ajo sa e di unë, do me thanë llogaritet si gjysmë kati se nuk e ke në shfrytëzim komplet a po kupton, qëkjo oshtë. Qysh kemi arrit, në bazë të dokumenteve, në bazë do me thanë do sdi qysh u kanë e përcaktume valla me ligj që na ka taku tash s’po jom në dijeni se ka kalu bajagi kohë, edhe qashtu është
Gazetarja: Pra zyrtarja e Urbanizmit Shpresa Osmanollaj nuk ju ka thanë që paraqet ndonjë problem meqë nuk lejohet më shumë se gjashtë kate?
Investitori Berisha: Jo na ka thanë, na ka thanë të jemi të sinqertë, lejen e parë e kemi P plus 5 më doket, se s’po jom në dijeni tash se s’jam marrë shumë me këto gjana. Mandej kemi apliku prap për së dyti në bazë të bonuese a se di kështu diçka ka qenë edhe na u ka leju një kat dhe penthouse, jo ma naltë”.
Mirëpo, leja ndërtimore e lëshuar nga Urbanizmi nuk bazohet në ndonjë marrëveshje të arritur në mes komunës me investitorëve për marrjen e bonuese.