Malishevë – Është mbajtur mbledhja e shtatë e rregullt e Kuvendit të Komunës së Malishevës për vitin 2026, e cila u drejtua nga kryesuesi Fatmir Ademaj, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Mbledhja nisi me ngritjen e disa shqetësimeve nga asamblistët, përmes pikës jashtë rendit të ditës. Më pas, anëtarët e Kuvendit diskutuan dhe miratuan rendin e punës, me një ndryshim që kishte të bënte me plotësimin e një anëtari në Komisionin Komunal për takimet lidhur me zgjedhjet e kryesive të fshatrave.
Gjatë mbledhjes u shqyrtuan pika të ndryshme të rendit të ditës, për të cilat pati diskutime, ndërsa pikat që kërkonin miratim u hodhën në votim.
Ndër çështjet kryesore të shqyrtuara ishin:
Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbaleve të mbledhjes së gjashtë të rregullt, të mbajtur më 29 shtator 2026, dhe të mbledhjes së parë urgjente, të mbajtur më 30 shtator 2026.
Shqyrtimi i kërkesës së kryetarit të Komunës së Malishevës, të datës 14 tetor 2026, për rishqyrtimin e vendimit nr. 02/31 për miratimin e Rregullores për tarifa, taksa dhe ngarkesa komunale.
Shqyrtimi i kërkesës së kryetarit të Komunës për rishqyrtimin e vendimit nr. 02/296, të datës 13 tetor 2026, lidhur me harmonizimin e statusit të Monumentit të Natyrës „Rrjedha e Lumit Mirusha” me Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës.
Shqyrtimi dhe miratimi i draft-rregullores për menaxhimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Malishevës.
Rishqyrtimi i vendimit nr. 02/157, të datës 1 qershor 2026, sipas shkresës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL).
Shqyrtimi i raportit të të hyrave dhe shpenzimeve për periudhën janar–shtator 2026.
Shqyrtimi i raportit të Drejtorisë për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural për periudhën janar–shtator 2026.
Shqyrtimi dhe miratimi i kërkesës së kompanisë „Hidroregjioni Jugor” SH.A., për shpronësimin e pronës private me qëllim të rritjes së kapaciteteve akumuluese të ujit, përkatësisht ndërtimit të rezervuarit të ri në Banjë.
Shqyrtimi dhe miratimi i dy kërkesave të tjera, me numrat 02/110, të datës 10 prill 2026, dhe 02/109, të datës 29 prill 2025.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Kuvendit diskutuan për çështjet e paraqitura në rendin e ditës, ndërsa disa prej tyre u miratuan, kurse të tjerat u shqyrtuan. / GeP