23 zyrtarë korrektues nga Kosova fillojnë punën në burgjet e Danimarkës

- Gazeta e Prizrenit

23 zyrtarë korrektues nga Kosova fillojnë punën në burgjet e Danimarkës

Gjithsej 23 zyrtarë korrektues nga Kosova, të cilët më parë kanë ndjekur trajnime shtesë në Danimarkë, kanë filluar këtë javë punën në tri burgje daneze: Ringe, Vestre dhe Storstrom.
Sipas mediumit danez TV2 Fyn, ata do të shërbejnë për një periudhë gjashtëmujore, gjatë së cilës do të jenë pjesë e personelit të rregullt të burgjeve dhe do të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, përfshirë patrullimin në korridoret e institucioneve korrektuese.

Megjithatë, kjo skemë është kundërshtuar më herët nga përfaqësuesit e punonjësve danezë të burgjeve.

Që në vitin 2024, kur politikanët danezë kishin vendosur që një grup zyrtarësh korrektues nga Kosova të ndiqnin trajnime profesionale në burgjet e Danimarkës, Unioni i Punonjësve të Burgjeve kishte shprehur shqetësime për këtë praktikë.

“Ne, në asnjë rrethanë, nuk duhet t’i kemi ata në korridoret e burgjeve tona me tufën e tyre të çelësave”, kishte deklaruar asokohe Bo Yde Sorensen, kryetar i atëhershëm i Unionit të Punonjësve të Burgjeve në Danimarkë.

Kjo deklaratë ishte bërë në kuadër të kundërshtimeve ndaj përfshirjes së zyrtarëve korrektues nga Kosova në punën e përditshme të burgjeve daneze.

Megjithatë, pikërisht kjo po ndodh tani.

Këtë e ka konfirmuar Shërbimi Danez i Burgjeve, i cili ka mirëpritur 23 zyrtarët korrektues nga Kosova, duke e cilësuar angazhimin e tyre si pjesë të procesit të trajnimit.

“Ky është një element i planit të trajnimit, i cili synon përgatitjen për funksionalizimin e burgut që do ta hapim më vonë në Gjilan të Kosovës”, ka deklaruar guvernatori i burgut, Mads Beyer, i cili do të jetë përgjegjës për institucionin e ardhshëm korrektues në Gjilan.

I pyetur nëse zyrtarët nga Kosova do të ishin angazhuar në Danimarkë edhe sikur burgjet daneze të mos përballeshin me presion për shkak të numrit të të burgosurve dhe mungesës së personelit, Beyer ka pranuar se kjo është gjithashtu një arsye e rëndësishme.

Ndryshe nga viti 2025, kur zyrtarët korrektues nga Kosova qëndronin në Danimarkë për trajnime shtesë dhe shoqëronin kolegët danezë gjatë punës, kësaj radhe ata do të angazhohen vetë në sektorët e burgjeve dhe do të jenë pjesë e orareve të rregullta të punës.

“Gjatë javëve të para, ata me gjasë do të punojnë së bashku me një koleg danez, por më pas pritet të kryejnë shërbimin bashkë me kolegë danezë me përvojë të mirë”, ka thënë Beyer.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit