Çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka shënuar një rënie të ndjeshme, ku nafta e papërpunuar Brent ka pësuar një ulje prej 5.02 për qind, duke zbritur në nivelin prej 93.38 dollarësh për fuçi.
Përgjatë sesionit tregtar, çmimi i kontratave të së ardhmes ka arritur të prekë edhe kuotën e 92.80 dollarëve për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI ka pësuar po ashtu rënie, duke u tregtuar në rreth 87 dollarë.
Kjo lëvizje pason një javë me humbje të mëdha, ku nafta Brent kishte pësuar një rënie prej rreth 16 për qind — ulja më e madhe javore që nga fillimi i pandemisë COVID-19.
Shkak kryesor për këtë ulje të çmimeve vlerësohet të jenë sinjalet për zbutjen e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe mundësia e arritjes së një marrëveshjeje mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
Deklaratat e Presidentit amerikan, Donald Trump, se një ndërhyrje e re ushtarake ndaj Iranit është pak e mundshme nëse negociatat përparojnë, kanë zbutur frikën e investitorëve për ndërprerje të mundshme të furnizimit përmes Ngushticës së Hormuzit.
Pavarësisht kësaj rënieje, situata e sigurisë në rajon mbetet e brishtë, teksa vazhdojnë të raportohen sulme ndaj anijeve pranë rrugëve kryesore detare dhe goditje ndaj infrastrukturës energjetike në Arabinë Saudite.