Një incident i rëndë ka ndodhur në futbollin iranian, ku protagonist është bërë futbollisti shqiptar, Jasir Asani, i cili është ndëshkuar me karton të kuq pas një përplasjeje me gjyqtarin anësor.
Ngjarja ka ndodhur në përballjen mes Esteghlal Khuzestan dhe Esteghlal FC, e cila përfundoi me rezultat 2-2. Në minutat e fundit të ndeshjes, Asani u përfshi në një debat me gjyqtarin anësor, Alireza Ildorom, pas të cilit u ndëshkua me karton të kuq, shkruan Indeksonline.
Megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes janë publikuar detaje të reja lidhur me incidentin. Sipas raportimeve të mediave iraniane, gjyqtari anësor dyshohet se ka përdorur fjalë fyese ndaj familjes së Asanit, gjë që ka nxitur reagimin e futbollistit shqiptar.
Po ashtu, raportohet se në dhomën e VAR-it është regjistruar komunikimi mes gjyqtarëve, ku edhe zyrtarë të tjerë të ndeshjes kanë reaguar ndaj gjuhës së përdorur nga asistenti.
Rasti ka përfunduar në Komisionin Disiplinor të Federatës së Futbollit të Iranit, ku Asani ka dhënë shpjegimet e tij përmes një seance online.
Ndërkohë, sipas raportimeve, edhe gjyqtari anësor mund të përballet me masa disiplinore, përfshirë pezullimin, për shkak të sjelljes së tij.