Inspektorati nis aksion ndaj shitjeve online, gjoba për kompanitë postare dhe individët

- Gazeta e Prizrenit

Inspektorati nis aksion ndaj shitjeve online, gjoba për kompanitë postare dhe individët

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka realizuar 70 inspektime ndaj kompanive të shërbimeve postare që bëjnë bartjen dhe shpërndarjen e produkteve të porositura përmes platformave online.

Si rezultat i këtyre inspektimeve, tri kompani të shërbimeve postare janë gjobitur me gjithsej 9,000 euro, për shkak të refuzimit për të ofruar të dhënat lidhur me bizneset apo personat fizikë nga të cilët kishin pranuar produktet që transportonin drejt konsumatorëve.

Gjithashtu, përmes inspektimit të rrjeteve sociale dhe platformave online të shitjes, janë identifikuar dy persona fizikë të cilët ushtronin veprimtari tregtare pa pasur biznes të regjistruar. Ndaj tyre janë shqiptuar dy gjoba, ndërsa janë obliguar që, brenda afatit të përcaktuar nga inspektorët, të bëjnë regjistrimin e bizneseve të tyre.

Një rezultat i rëndësishëm i këtij aksioni është formalizimi i mbi 100 bizneseve, të cilat që nga fillimi i aktiviteteve inspektuese janë regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Në kuadër të aktiviteteve për mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorëve, IQMT ka filluar edhe inspektimin e ofertave dhe zbritjeve të promovuara nga bizneset me rastin e Black Friday.

IQMT do të mbikëqyrë në mënyrë të veçantë përputhshmërinë e çmimeve të reklamuara me zbritje me çmimet reale të shitjes së produkteve dhe shërbimeve për konsumatorët.

Në rastet kur çmimi i promovuar si çmim me zbritje nuk përkon me çmimin me të cilin produkti apo shërbimi u ofrohet konsumatorëve në momentin e blerjes, një praktikë e tillë konsiderohet praktikë e padrejtë tregtare dhe mashtruese. Për këto raste, konform dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit, do të ndërmerren masat përkatëse dhe do të shqiptohen gjoba ndaj bizneseve përgjegjëse.

Aksioni për mbikëqyrjen e tregtisë online do të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme. Inspektimet e bizneseve që operojnë përmes platformave online tashmë janë përfshirë edhe në planin e rregullt të punës së IQMT-së.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit