Shpallet dënimi për vrasjen e policit, Triumf Riza

- Gazeta e Prizrenit

Shpallet dënimi për vrasjen e policit, Triumf Riza

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtorë në rigjykim Ilir Abdullahun, i njohur si “Liza”, dhe Rrahim Abdullahun, i njohur si “Rrumqi”, për vrasjen e rëndë në bashkëkryerje të zyrtarit policor Triumf Riza. Gjykata i dënoi të dy me nga 18 vjet burgim.

Aktgjykimi u shpall të premten, më 20 nëntor, një javë pasi palët paraqitën fjalët përfundimtare. Në seancën e 13 nëntorit, Prokuroria Speciale kishte kërkuar që të dy të akuzuarit të shpalleshin fajtorë dhe të dënoheshin me burgim.

Në fjalën përfundimtare, Ilir Abdullahu tha se kishte kaluar rreth tre vjet e gjysmë në paraburgim dhe se e kishte ndërgjegjen e pastër. Rrahim Abdullahu kundërshtoi akuzën dhe kërkoi që çështja të mos kthehej sërish në rigjykim.

   
Triumf Riza u vra më 30 gusht 2007 në Prishtinë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Ilir dhe Rrahim Abdullahu akuzoheshin për pjesëmarrje në vrasjen e tij në bashkëkryerje.

Shënim: Personat e apostrofuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit