Baseli, Arabia Saudite apo pensionimi – këto janë mundësitë për të ardhmen e Shaqirit

- Gazeta e Prizrenit

Baseli, Arabia Saudite apo pensionimi – këto janë mundësitë për të ardhmen e Shaqirit

E ardhmja e Xherdan Shaqirit te Baseli mbetet e hapur, ndërsa futbollisti shqiptar ende nuk ka vendosur nëse do ta vazhdojë kontratën me klubin zviceran, do të provojë një aventurë të fundit jashtë vendit apo do t’i japë fund karrierës.

Kontrata e Shaqirit me Baselin përfundon në verën e vitit 2027, ndërsa mediumi zviceran Watson, në një analizë të publikuar të dielën, ka trajtuar shtatë çështjet kryesore që mund të përcaktojnë të ardhmen e tij.

Vetë futbollisti ka bërë të ditur përmes Instagramit se ende nuk është marrë asnjë vendim përfundimtar, duke lënë të hapur edhe mundësinë e pensionimit nga futbolli.

Një nga opsionet është vazhdimi te Baseli, ku Shaqiri, edhe në moshën 35-vjeçare, mbetet një prej lojtarëve më cilësorë të kampionatit zviceran. Teknika, kreativiteti dhe përvoja e tij konsiderohen vlera të rëndësishme për skuadrën.

Megjithatë, vazhdimi i bashkëpunimit mund të kërkojë kompromis nga të dyja palët. Sipas Watson, Shaqiri mund të duhet të pranojë një pagë më të ulët dhe një rol më të kufizuar në fushë, ndërsa Baseli duhet t’i ofrojë një plan të qartë për të ardhmen e tij.

Largimi i tij do t’i mundësonte klubit të lironte një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, pasi paga e futbollistit raportohet të jetë mbi 1.5 milionë franga zvicerane në vit.


Një tjetër mundësi është një aventurë e fundit jashtë Zvicrës. Arabia Saudite dhe Turqia përmenden si destinacione të mundshme, ndërsa në të kaluarën ishte përfolur edhe një transferim në Greqi. Megjithatë, dëshira për të qëndruar pranë familjes mund të ndikojë në vendimin e tij.

Në të ardhmen e Shaqirit mund të ketë rol edhe FC Rapperswil-Jona, klub në kategorinë e dytë të futbollit zviceran, ku ai është bashkëpronar që nga fillimi i vitit 2025 dhe zotëron pak më pak se gjysmën e aksioneve. Sipas mediumit zviceran, ai është parë gjithnjë e më shpesh pranë skuadrës, çka mund të sinjalizojë një angazhim më të madh në klub pas përfundimit të karrierës si futbollist.

Sa i përket kohës së vendimit, ai mund të merret brenda një jave, por mund të shtyhet edhe deri në mars. Sipas Watson, bisedimet mes Shaqirit dhe Baselit po zhvillohen në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët janë të qeta.

Nëse vendos t’i japë fund karrierës, Baseli pritet t’i organizojë një lamtumirë të denjë një prej futbollistëve më të rëndësishëm të viteve të fundit në klub.

Për momentin, e ardhmja e Xherdan Shaqirit mbetet e hapur, ndërsa vendimi i tij pritet me interes të madh nga tifozët e Baselit.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit