New Yorku e fut 28 Nëntorin në kalendarin zyrtar, do ta festojë çdo vit Pavarësinë e Shqipërisë

- Gazeta e Prizrenit

New Yorku e fut 28 Nëntorin në kalendarin zyrtar, do ta festojë çdo vit Pavarësinë e Shqipërisë

Qyteti i New York-ut do ta shënojë zyrtarisht çdo vit 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, pas miratimit të një rezolute nga Këshilli Bashkiak, duke e përfshirë këtë festë kombëtare në kalendarin zyrtar të qytetit amerikan.

Shënimi i parë sipas këtij vendimi do të bëhet këtë të shtunë, më 28 nëntor, kur shqiptarët në mbarë botën festojnë 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Rezoluta është miratuar më 19 nëntor, ndërsa katër ditë më vonë, Këshilli Bashkiak ka ftuar komunitetin shqiptar në Nju Jork për të festuar në ambientet e Bashkisë së qytetit, raporton First Balkan Media.

Nisma është sponsorizuar nga anëtarja e Këshillit Bashkiak, Amanda Farías, së bashku me koleget Shirley Aldebol dhe Farah N. Louis.

Në dokumentin e miratuar vlerësohet kontributi i komunitetit shqiptar ndër dekada në zhvillimin ekonomik, shoqëror dhe kulturor të Nju Jorkut.

Shqiptarët kanë nisur të vendosen në këtë qytet që nga fillimi i viteve 1920. Sipas Fondacionit të Shoqërisë Shqiptaro-Amerikane, aktualisht mbi 100 mijë persona me prejardhje shqiptare jetojnë në pesë distriktet e Nju Jorkut, me përqendrim të madh në Bronx dhe Staten Island.

Në rezolutë theksohet se zona metropolitane e Nju Jorkut është shtëpia e komunitetit më të madh shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dokumenti rikujton edhe lidhjet historike mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali shpalli Pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane. Ndërsa pas Luftës së Parë Botërore, presidenti amerikan Woodrow Wilson mbështeti pavarësinë e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris.

Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u vendosën në korrik të vitit 1922.

Vendimi i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut për ta njohur çdo vit 28 Nëntorin si Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë vlerësohet si një tjetër njohje e trashëgimisë dhe kontributit të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara.



Lexoni të gjitha në Gazeta e Prizrenit