Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, priti sot në takim Azem Krasniqin, shef i Sektorit të Njësive Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, me të cilin diskutoi për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftimin e kriminalitetit ekonomik dhe korrupsionit.
Në këtë kontekst, u diskutua edhe për trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me sektorin e ndërtimit, në veçanti me lejet e ndërtimit të objekteve banesore, duke përfshirë aspektet që mund të përbëjnë shkelje ligjore dhe elemente të veprave penale, si dhe rëndësinë e identifikimit dhe adresimit me kohë të rasteve të tilla.
Po ashtu, u diskutua për rëndësinë e funksionalizimit dhe angazhimit të njësive të veçanta për hetimin e rasteve të korrupsionit, avancimin e metodave të hetimit, shkëmbimin e informacioneve dhe koordinimin e veprimeve hetimore, me qëllim të trajtimit sa më efikas të këtyre rasteve.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe sfidave me të cilat përballen institucionet gjatë hetimit dhe ndjekjes penale të krimeve ekonomike dhe korrupsionit, përfshirë kompleksitetin e rasteve, sigurimin dhe analizimin e provave, si dhe nevojën për kapacitete të specializuara profesionale dhe teknike.