Ish-analisti ushtarak i kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, aktualisht në shërbim të Vuçiqit si kryetar i Komisionit për Mbrojtje dhe Punëve të Brendshme të Kuvendit serb, Millovan Drecun, ka thënë për televizionin publik serb, RTS se “ka tension dhe pasiguri të madhe në komunitetin serb në veri të Kosovës dhe se nuk e dinë se çfarë lëvizjesh do të bëjë Kurti në periudhën e ardhshme”.
“Përsëri ekziston frika nëse serbët do të arrijnë të mbijetojnë në veri të Kosovës, por nga ana tjetër ekziston një këmbëngulje, vullnet dhe dëshirë vërtetë e jashtëzakonshme që serbët të vazhdojnë të jetojnë në zonat e tyre shekullore”, ka pretenduar Drecun.
Ai ka shtuar se sjellja e KFOR-it tregon se ata vlerësojnë se “ekziston rreziku i incidenteve dhe konflikteve dhe se zhvillimet e tilla të mundshme duhet të parandalohen”.
“Kam frikë se të gjitha veprimet e Kurtit kanë për qëllim provokimin e incidenteve dhe provokimin e reagimit nga “populli serb”, të cilin ai më vonë mund ta përdorë si justifikim për të përdorur forcë edhe më të madhe, më brutale kundër popullit serb”, ka thënë Drecun.