71-vjeçari që ia dha 50 mijë € gruas që e shantazhoi tentoi vetëvrasjen, ajo ia dërgoi djalit të tij fotot intime

- Bota Sot

71-vjeçari që ia dha 50 mijë € gruas që e shantazhoi tentoi vetëvrasjen, ajo ia dërgoi djalit të tij fotot intime

Drama në të cilën u përfshi një 71-vjeçar nga Prishtina si pasojë e një raporti intim jashtëmartesor për pak përfundoi tragjikisht. I moshuari e tentoi vetëvrasjen për shkak të presionit dhe shantazhit që dyshohet se ia kishte bërë e dyshuara 41-vjeçare, e cila arriti t’ia kap një shumë të majme parash. Gazeta raportoi sot detaje ekskluzive nga ky rast për të cilin po zhvillohen hetime nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Lajmi tashmë është konfirmuar edhe nga Policia, me ç’rast është bërë e ditur se e dyshuara është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë dhe ndaj saj është iniciuar rasti për veprën penale “Shantazhi”.

“Më 16.09.2024 është identifikuar dhe arrestuar e dyshuara femër  kosovare pasi e njëjta kishte shantazhuar viktimën mashkull  kosovar  se do ‘ti publikonte disa foto të tij.  Përmes shantazhit e dyshuara ka arrit që të marr nga viktima një shumë të madhe parash. Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.”

Gruaja e arrestuar për këtë rast është Leonora Gashi.

Çka dihet për rastin deri më tani?

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gruaja e dyshuar dhe viktima 71-vjeçar kanë pasur një raport të afërt, që dyshohet se e kanë mbajtur muaj më parë, por që eskaloi dhe u prish pasi 41-vjeçarja dyshohet se nisi të shantazhojë.

E njëjta gjatë marrëdhënies seksuale që ka pasur me të moshuarin, kishte arritur që ta fotografojë dhe me ato pamje dyshohet se e ka shantazhuar, duke e detyruar që t’i japë para nën kanosje se do t’ia dërgojë familjes së tij ato foto.

Për pasojë, sipas informacioneve të para, viktima kishte paguar hiç më pak se rreth 50 mijë euro, por megjithatë, pamjet që posedonte e dyshuara i shkuan djalit të tij.

Kjo situatë, siç thonë të njëjtat burime e kishte rënduar viktimën, i cili para disa muajsh kishte tentuar edhe të kryejë vetëvrasje, për shkak të presionit.

Pasi rasti ishte denoncuar, Policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë të dyshuarën dhe e njëjta është shoqëruar në stacion policor.

Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, kanos personin tjetër se do të zbulojë diç në lidhje me të apo personat e afërm të tij që do të dëmtojë nderin apo autoritetin e tyre dhe në këtë mënyrë e detyron personin e tillë të kryejë apo të mos kryejë ndonjë veprim në dëm të pasurisë së tij apo të personit tjetër, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.



Read it all at Bota Sot