Serbia kërkon demarkimin e zonës së Suhadollit si parakusht për hapjen e Urës

- Bota Sot

Serbia kërkon demarkimin e zonës së Suhadollit si parakusht për hapjen e Urës

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, pas takimit bilateral me të deleguarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se gjatë takimit ka insistuar në demarkimin e kufijve kadastral “si parakusht” për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve.

Në një konferencë për media, kryenegociatori i palës serbe ka insistuar në demarkimin e zonës në Suhadoll në Mitrovicë të Veriut.

“Ne kërkojmë respektimin e marrëveshjes, ku insistojmë në demarkimin e zonës së Suhodollit si parakusht për hapjen e urës”, ka thënë Petkoviq, transmeton mediumi serb me seli në Kosovë, “Kossev”.

Petkoviq ka njoftuar ndër të tjera për një takim eventual me përfaqësuesit e NATO-s lidhur me urën mbi lumin Ibër.

“Do të flasim për temën e urës, por nga prizmi i sigurisë, sidomos për të vënë në dukje, në një prezantim të veçantë, të gjitha rreziqet që ekzistojnë nëse Kurti fillon ta hapë urën në mënyrë të njëanshme. Kjo është e pamundur, sepse NATO është e pranishme në atë urë dhe prandaj është e rëndësishme të bisedohet me ta”, tha Petkoviç në një prononcim për media.

Përkundër se zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, potencoi se takimi trelateral i paraparë të mbahet në Bruksel të premten, sipas agjendës së prezantuar nga ndërmjetësuesi Lajçak, dështoi për shkak të refuzimit të palës serbe, Petkoviq, vlerësoi se një takim i tillë dështoi për shkak të refuzimit të palës kosovare.

Bislimi, siç pretendoi Lajçak, ka refuzuar të marrë pjesë në takimin trepalësh, me arsyetimin se Beogradi ka insistuar të diskutohet tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe, shërbimet postare dhe çështjen e zbatimit të marrëveshjes për urën.

“Çfarë normalizimi është ky, nëse ju nuk dëshironi të flisni për çështjen kyç siç është Asociacioni. Një çështje kyç është gjithashtu edhe se si po jetojnë serbët në Kosovë”, ka potencuar Petkoviç.

Ai po ashtu ka thënë se ia ka dorëzuar Lajçakut “listën e të gjithë serbëve të arrestuar, të burgosurve politikë”.

“Edhe pse kemi pasur garanci nga SHBA-ja dhe BE-ja se askush që ka qenë në barrikada nuk do të arrestohet, ka ndodhur e kundërta”, ka shtuar Petkoviq.



Read it all at Bota Sot