Von der Leyen takon sot liderët e Ballkanit Perëndimor

- Bota Sot

Von der Leyen takon sot liderët e Ballkanit Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do t’i takojë më 19 shtator në Bruksel liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një drekë pune.

Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërsa Serbia do të përfaqësohet me presidentin e saj.

Sipas burimeve në Komisionin Evropian, Von der Leyen gjatë takimit pritet t’i njoftojë liderët me qëllimet dhe misionin që do të ketë KE-ja në pesë vjetët e ardhshëm, sa do të zgjasë mandati i saj i dytë në krye të këtij institucioni.

Von der Leyen ka caktuar kandidaten nga Sllovenia, Marta Kos, si komisionare për Zgjerin, që do të thotë se ajo do të merret edhe me raportet me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen me këtë takim po ashtu dëshiron të dëshmojë se edhe në mandatin e ri do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

Pritet që në takim temat kryesore të jenë “agjenda e reformave dhe rritjes”, të cilat tashmë i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Bosnja e Hercegovina ka qenë e fundit që ka dorëzuar një dokument të tillë.

Von der Leyen personalisht ishte angazhuar për të promovuar këtë plan, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian edhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Ky plan, që është një paketë prej 6 miliardë eurosh, konsiderohet si plani më ambicioz financiar i BE-së për vendet e rajonit dhe ka për qëllim t’iu ndihmojë atyre të përshpejtojnë rritjen ekonomike, procesin e reformave dhe në këtë mënyrë të jenë më të gatshme për procesin e integrimit në BE.

Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky Plan i Rritjes. Për Kosovën dhe për Serbinë, përveç kritereve të përgjithshme që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, kusht për të përfituar nga ky Plan i Rritjes është edhe angazhimi konstruktiv në procesin e normalizimit të raporteve mes tyre, që përfshin edhe zbatimin e të gjitha obligimeve nga procesi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë qëndrimit në Bruksel, përveç drekës së punës të organizuar nga presidentja e Komisionit Evropian, do të ketë edhe një diskutim në Qendrën e Politikave Evropiane (EPC)./REL



Read it all at Bota Sot