Policia e Kosovës e ka konfirmuar raportimin e Sinjalit për aksionin e Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, që u zhvillua në rajonin e Prishtinës, ku u kapën katër persona të përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të fajdes. Të dyshuarit që u kapën dyshohen edhe për bixhoz të paligjshëm raporton Gazeta Sinjali.
Personat e arrestuar janë A.A., S.A., E.G., dhe A.G., të cilët pas arrestimin janë dërguar në mbajtje.
Gjatë aksionit, janë sekuestruar shuma të konsiderueshme të parave, 5 automjete, telefona celularë dhe pajisje të ndryshme elektronike.
“Të dyshuarit në këtë rast, përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm.
Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë sekuestruar dëshmi të ndryshme si: shuma të konsiderueshme të parave kesh, 5 automjete, telefona celularë, pajisje të ndryshme elektronike.
Katër personave të dyshuar A. A., S. A., E. G. dhe A. G., pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, iu caktohet masa e ndalimit për 48 orë.” – njoftoi Policia, teksa kanë publikuar edhe pamjet e aksionit.