Muaji rozë, IPKO dhe OEA bashkohen për luftimin e kancerit

- Bota Sot

Muaji rozë, IPKO dhe OEA bashkohen për luftimin e kancerit

Në kuadër të muajit rozë për ndërgjegjësimin ndaj kancerit të gjirit, kompania IPKO në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane dhe qendrën tregtare Prishtina Mall, ka organizuar një aktivitet si pjesë e fushatës “Së bashku kundër kancerit”.

Pjesë e kësaj fushate janë edhe profesionistët shëndetësorë, të cilët po ofrojnë falas konsulta, këshilla dhe informacione të rëndësishme mbi parandalimin e kancerit dhe faktorët e rrezikut. Menaxherja e projekteve për përgjegjësi sociale në kompaninë IPKO, Bardha Dida Rugova tha se me organizmin e këtyre aktiviteteve po tregojnë përkushtimin e palëkundur ndaj shëndetit dhe mirëqenies së komunitetit.

Dida Rugova potencoi se ky event ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin e kancerit dhe të ofrojë mbështetje të vlefshme për pacientët dhe familjet e tyre.

“Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, IPKO po tregon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj shëndetit dhe mirëqenies së komunitetit, duke organizuar një seri aktivitetesh të veçanta nga data 11 deri më 13 tetor në Prishtina Mall. Në bashkëpunim me Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Prishtina Mall, ky event ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për parandalimin e kancerit dhe të ofrojë mbështetje të vlefshme për pacientët dhe familjet e tyre. Gjatë këtyre tri ditëve, do të jenë të pranishëm specialistë të shëndetësisë, përfshirë onkologë, gjinekologë, radiologë e të tjerë, të cilët do të ofrojnë këshilla dhe informacione të rëndësishme mbi parandalimin e kancerit, faktorët e rrezikut… Këto konsultime synojnë të informojnë dhe fuqizojnë pjesëmarrësit për të marrë hapa të vetëdijshëm në përmirësimin e shëndetit të tyre”, tha Dida Rugova.

Ajo shtoi se kompania IPKO përmes donacioneve në qendra spitalore e qendra mjekësisë të familjare dhe bashkëpunimit me institucionet shëndetësore, dëshmon angazhimin e saj për një shoqëri më të shëndetshme dhe informuar.

Ndërsa, drejtori për Marketing në Prishtina Mall, Armend Susuri ftoi qytetarët të vijnë për konsulta dhe këshilla që po ofrojnë profesionistët shëndetësorë në kuadër të këtij organizimi. Susuri potencoi se ideja e këtij aktiviteti është që gratë dhe burrat të vetëdijesohen dhe te informohen rreth kësaj sëmundje.

Susuri: I ftoj qytetarët të vijnë për konsulta rreth kancerit të gjirit në Prishtina Mall.

“Ky është një aktivitet në kuadër të shumë aktiviteteve që mbahen në Prishtina Mall, që organizohet në kuadër të vetëdijesimit për kancer të gjirit…Me këtë rast i ftoj të gjithë qytetarët që të vijnë në Prishtina Mall, sepse ky aktivitet do të mbahet sot dhe gjatë fundjavës, pra të shtunën dhe të dielën. Të vijnë këtu, sepse do të ketë mjekë prezentë gjatë gjithë kohës, onkolog, gjinekolog, mjekë të ndryshëm me të cilët do të mund të konsultohen. Ideja është që gratë të vijnë këtu, por edhe familjet në përgjithësi, të vetëdijesohen se çka duhet të bëjnë”, tha Susuri.

Ndërkaq, onkologu Gëzim Buzhala, i cili në kuadër të kësaj fushate ofroi këshilla për gratë dhe burrat e interesuar rreth kësaj sëmundje, tha se është rritur interesimi për kontrolle.

Buzhala derisa përmendi se një deri në tetë gra mund të preken nga kanceri i gjirit gjatë jetës së tyre, theksoi si shumë të rëndësishëm bërjen e kontrolleve dhe ekzaminimeve. Ai potencoi se edhe burrat po interesohen për t’iu nënshkruar kontrolleve për këtë sëmundje.

Buzhala: Një deri në tetë gra mund të preken nga kanceri i gjirit

Muaji tetor në gjithë botën paraqet muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Sikur në të gjithë vendet edhe në Kosovë, ka pasur fushata të shumta sensibilizues për muajin tetor. Kjo ka bërë që të rritet interesimi për kontrolle sidomos nga ana e gjinisë femërore. Pasi siç dihet, kanceri i gjirit mund ta prekë edhe gjininë mashkullore, në një relacion shumë më të rrallë…Në botë në statistikat që janë, një deri tetë gra mund të preket nga kanceri i gjirit gjatë jetës. Prandaj, është shumë e rëndësishme që të bëhen kontrolle të vazhdueshme. Një prej mënyrave më të lehta, është vetekzaminimi. Çdo femër para pasqyrës mund ta bëjë vetekzaminimin e gjirit. Nëse vëren një gungë, skuqje apo edhe reteraksion të gjirit, mund të zhvillohen edhe metoda të tjera imazherike siç janë echo apo mamografia…Interesimi i gjinisë mashkullore ka qenë më i ulët, sepse sëmundja tek ata paraqitet shumë më rrallë”, tha Buzhala.

Këto konsulta dhe këshilla qytetarët mund t’i marrin që nga sot, deri të dielën nga ora 12:00 deri në 18:00.

Në kuadër të këtij aktiviteti u shpërndanë edhe fletushka me informacione për sensibilizimin e grave dhe burrave ndaj kësaj sëmundje malinje. 



Read it all at Bota Sot