Përkrahësit e grupit të Milan Radoiçiqit, vazhdojnë të jenë prezent në veri të Kosovës, duke qeruar hesapet me ata që i konsiderojnë kundërshtarë të shefit të tyre.
Njëri nga ta është Goran Vuçetiq, i cili po i kryen detyrat që po ia jep shefi i tij, pasi ai vazhdon të strehohet në Serbi.
Ditë më parë, pikërisht Goran Vuçetiq, rrahu ish-kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq, në rrugën “Sutjeska” në veri të Kosovës, të cilin e bëri për spital.
Rrahja kishte ndodhur para banesës së Rakiqit, pasi aty e kishte pritur Vuçetiq.
Rasti i rrahjes së Rakiqit nuk ishte lajmëruar fare në Policinë e Kosovës, derisa, rasti ishte tentuar të fshihet në të gjitha institucionet përkatëse.
Megjithatë, Goran Vuçetiq, ishte marrë në pyetje në Policinë e Kosovës për këtë rast, porse i njëjti nuk e kishte pranuar veprën e kryer.
Ndërsa, kryetari i Lëvizjes Qytetare ”Odgovor”, Boban Bogdanoviq, ka thënë se Rashiq është sulmuar nga kolegët e organzatës terroriste “Brigada e Veriut”.
Ai ka shkruar në “X”, se Rakiq i ka borxhe financiare Milan Radojçiqit , duke shtuar se këto borxhe janë të mëdha.
“Mbrëmë shokët e mi nga Mitrovica më kanë njoftuar se llumi Goran Rakiq, është rrahur nga kolegët e tij të organizatës terroriste “Brigada e Veriut”. Borxhet e tij financiare ndaj terroristit Radojiçiq janë të mëdha! Sa për mua, le ta shfarosin njëri-tjetrin deri në fund!”, ka thënë ai pas sulmit.
Ndërkohë, edhe njohësi i sigurisë, Agim Musliu, kishte shkruar në rrjetin social X se Rakiq është rrahur nga terroristët e mbështetur nga Vuçiqi e Radoiçiqi.
“Ish-kryetari i Listës #Srpska, Goran Rakiq është rrahur mbrëmë në Mitrovicë, në pjesën veriore me shumicë serbe. Ndonëse ishte rrahur nga miqtë e tij, kriminelët dhe terroristët e Vuçiqit dhe Radoiçiqit, ai trajtohej në fshehtësi. Me siguri ky rast do të paraqitej si sulm i shqiptarëve duke përhapur dezinformata kudo”, kishte thënë Musliu.
Goran Vuçetiq, dyshohet se është vëllai i Vladimir Vuçetiq që ishte pjesëmarrës në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku edhe u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Institucionet kosovare kishin siguruar informacione për Vladimir Vuçetiqin, i cili ishte pjesëtar i “Mbrojtjes Civile” dhe i “Brigadës së Veriut”, organizata që Kosova i ka shpallur terroriste.
Po ashtu, Policia kishte siguruar informacione se i njëjti ishte i përfshirë direkt në sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë.
Vuçetiq në rrjetin social Facebook kishte postuar fëmijën e tij së bashku me babain, ku ky i fundit i kërkonte nipit të bëhen gati për t’u nisur në Kosovë me tanke.
“Vasilije hajde merre tankun dhe po nisemi për në Kosovë, hajde” dëgjohet duke thënë babai i sulmuesit të Banjskës dhe të Rakiqit.