Biznesmenit Vesel Jusaj i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj, pas arrestimit të tij të enjten. Jusaj, në cilësinë e pronarit të kompanisë së derivateve “Delta Group”, po hetohet lidhur me një aksident tragjik në të cilin humbi jetën një i ri si pasojë e shpërthimit të një bombole gazi.
Vendimi për masën e paraburgimit ndaj tij është marrë sot nga Gjykata Themelore në Pejë, pas kërkesës së parashtruar nga Prokuroria e Pejës.
Prokuroria ka bërë me dije se hetimi ndaj Jusajt ka nisur nën dyshimin për veprën penale “asgjësim, dëmtim apo heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
Si ndodhi rasti?
Një bombol gazi shpërtheu mëngjesin e 11 tetorit në Pejë, duke shkaktuar vdekjen tragjike të një 40 vjeçari që ndodhej në hapësirat e pompës së derivateve “Delta Group”.
Dyshohet se viktima ishte ftuar nga ky biznes që të bënte shndërrimin e bombolës së gazit në mënyrë që e njëjta të përdorej për derivate tjera.
Në momentin e arritjes viktima ka nisur të punojë në këtë bombolë që gjendej nën tokë por e njëjta ka shpërthyer.
“Delta Group” në ARBK figuron si pronë e vëllezërve Vesel e Shkëlqim Jusaj.
Biznesmeni Jusaj do të qëndrojë prapa grilave deri me datë 22 nëntor.