Presidentja e Gjeorgjisë nuk e njeh rezultatin zgjedhor, bën thirrje për protesta

- Bota Sot

Presidentja e Gjeorgjisë nuk e njeh rezultatin zgjedhor, bën thirrje për protesta

Presidentja pro-perëndimore e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, ka thënë se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 26 tetorit, dhe ka sugjeruar se shteti ka qenë viktimë e “operacionit special rus”.

Zurabishvili nuk ka ofruar ndonjë dëshmi për të mbështetur pretendimet e saj para mediave, më 27 tetor.

“Si institucioni i vetëm i pavarur që ka mbetur në këtë shtet, dua të them se nuk i njoh këto zgjedhje. Nuk duhet të njihen. Do të ishte njëjtë sikurse të pranohej hyrja e Rusisë këtu”, ka thënë ajo.

“Nuk kam ardhur në Gjeorgji për [dominim rus]. Paraardhësit tanë nuk kanë jetuar për këtë. Nuk do ta tolerojmë. E ardhmja evropiane nuk mund t’i merret Gjeorgjisë”, ka shtuar ajo.

Ajo ka bërë thirrje për protesta të rrugë, më 28 tetor, prej orës 19:00.

Ky shtet i Kaukazit Jugor ka mbajtur protesta masive në muajt e fundit kundër partisë në pushtet, Ëndrra Gjeorgjiane, të cilën kritikët e akuzojnë se është pro-ruse, dhe që ka gërryer normat demokratike.

Presidentja e ka kritikuar atë që e ka cilësuar “operacion special rus – njërën prej formave të reja të luftës hibride, të kryer ndaj njerëzve tanë, shtetit tonë”.

Ëndrra Gjeorgjiane e ka festuar atë qe e ka konsideruar fitore në zgjedhje, mirëpo opozita pro-perëndimore, si dhe vëzhguesit e zgjedhjeve, kanë thënë se janë kryer shkelje të mëdha, përfshirë frikësimin e votuesve dhe dhunën fizike.

Vëzhguesit perëndimorë kanë kërkuar hetime për parregullsitë e përmendura.

Pas numërimit të më shumë se 99.6 për qind të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka thënë se Ëndrra Gjeorgjiane i ka fituar 54.8 për qind të votave.

Megjithatë, opozita ka paraqitur shifra krejt tjera për partinë në pushtet, të udhëhequr nga miliarderi, Bidzina Ivanishvili.

Pothuajse të gjitha partitë opozitare kanë refuzuar të pranojnë rezultatin zgjedhor.

Ky proces është konsideruar test i rëndësishëm për Gjeorgjinë, shtet kandidat për anëtarësim në BE.

Brukseli ka thënë se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të përcaktojë mundësitë e Gjeorgjisë për t’iu bashkuar bllokut evropian.

Ndërkohë, kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban – aleat i udhëheqësisë së Ëndrrës Gjeorgjiane – pritet të vizitojë Tbilisin më 28-28 tetor.

Orban, zyrtari i parë i huaj që e ka uruar Ëndrrën Gjeogjiane për fitore – edhe para se të publikohen rezultatet zyrtare – pritet të mbajë një konferencë për media me kryeministrin gjeorgjian, Irakli Kobakhidze, pas takimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se “ndonëse vëzhguesit ndërkombëtarë dhe lokalë janë pajtuar që dita e zgjedhjeve është administruar mirë, ne kemi vërejtur raportime për parregullsi dhe dhunë sporadike”.

Ai ka thënë se “vëzhguesit ndërkombëtarë nuk kanë deklaruar se rezultati është i lirë apo i drejtë”.

“Ne i dënojmë të gjitha shkeljet e normave ndërkombëtare dhe u bashkohemi thirrjeve të vëzhguesve ndërkombëtare dhe lokalë për hetim të plotë të të gjitha raportimeve për shkelje të lidhura me procesin zgjedhor”.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se parregullsitë e dyshuara në procesin zgjedhor “duhet të adresohen me seriozitet”./REL



Read it all at Bota Sot