Serbia në panik nga raportuesi i saj në PE, Gjuriq: Picula do të jetë nën vëzhgim

- Bota Sot

Serbia në panik nga raportuesi i saj në PE, Gjuriq: Picula do të jetë nën vëzhgim

Në Serbi tashmë ka nisur një fushatë e egër ndaj kroatit Tonin Picula i cili ka marrë një detyrë të re e që lidhet drejtpërdrejt me Serbinë.

Përveç presidentit serb, e afisheve të ndryshme që dolën kundër Piculës në Serbi, tashmë ‘kërcënimet’ e tij për kroatin që do të raportojë për Serbinë në PE i dha edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq.

Ai tha se ministria do të “mbajë nën vëzhgim” punën e politikanit kroat Tonin Picula, i cili u emërua raportues i ri i Parlamentit Evropian për Serbinë.

Gjuriq i tha televizionit Pink të regjimit se ministria që ai drejton do të reagojë ndaj çdo përpjekjeje të mundshme të Picula për të “abuzuar me pozicionin e tij duke etiketuar Serbinë”, ose ndaj “veprimit të tij të motivuar nga paragjykimet kombëtare”.

“Është e papranueshme që pozita e raportuesit të Parlamentit Evropian të keqpërdoret për ndonjë politikë, të kujtdo, apo për një agjendë nacionaliste të bazuar në paragjykime”, tha Gjuriq.

Ai tha se “shpreson sinqerisht që Picula të mos veprojë kështu”.

“Por kjo shpresë e imja nuk ka shumë bazë, nëse merret parasysh ajo që Picula ka thënë në muajt e kaluar për kishën serbe, shtetin dhe politikën serbe”, tha Gjuriq.

Ai tha se puna e Piculës do të vlerësohet nga Serbia “në bazë të mënyrës se si sillet”.

Sipas Gjuriqit nëse Picula gabon, Serbia do të sigurohet që çdo person në Evropë të jetë i vetëdijshëm për paragjykimet dhe etiketimet e tij.

Ai shtoi se zgjedhja e Tonino Picula nuk do të identifikohet me qëndrimet zyrtare të BE-së.

Gjuriq tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiç “ka thënë qartë se Tonino Picula kurrë nuk do të udhëheqë politikën e Serbisë”.

“Do të shtoja se Tonino Picula as nuk do të udhëheqë politikën e zgjerimit të BE-së ndaj Serbisë”, tha Gjuriq.



Read it all at Bota Sot