Tetë të vdekur pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad

- Bota Sot

Tetë të vdekur pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad

Tetë persona kanë vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar pasi është shembur streha e stacionit hekurudhor në Novi Sad të Serbisë, tha ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Dy persona ende janë të bllokuar nën rrënoja dhe Daçiq tha se ekipet e shpëtimit po tentojnë që t’i nxjerrin nga aty.

Aktualisht, afër 80 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë në vendin e ngjarjes.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit.

“Ne do të insistojmë që të gjithë përgjegjësit të gjenden dhe ata që janë përkujdesur për gjendjen e kësaj strukture dhe të kësaj ndërtese të mbahen përgjegjës”, tha kryeministri serb.

Stacioni hekurudhor në Novi Sad.

Ai tha se streha që u shemb ishte ndërtuar në vitin 1964.

Ky stacion hekurudhor ishte ndërtuar më 1964. Më 2024, pas rikonstruktimit për tre vjet, ky stacion u hap sërish. Më 5 korrik, në hapjen e objektit të rindërtuar kishte marrë pjesë edhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Goran Vesiq, kryetarja e Qeverisë Krahinor Maja Gojkoviq dhe kryetari i Komunës së Novi Sad, Millan Gjuriq.

Infrastruktura e Hekurudhave të Serbisë bëri të ditur se streha që u shemb “nuk ka qenë subjekt i rindërtimit në kuadër të punimeve për rinovimin e objektit të stacionit në kuadër të projektit të ndërtimit të linjës së shpejtësisë së lartë Novi Sad-Suboticë”.

Siç u tha në njoftimin e kësaj kompanie, në kuadër të rikonstruksionit është punuar në pjesën e brendshme e stacionit, çatisë dhe fasadës sipër dhe poshtë strehës./REL



Read it all at Bota Sot