Për tetë muaj, katër raste të vrasjeve në familje

- Bota Sot

Për tetë muaj, katër raste të vrasjeve në familje

Katër raste të vrasjes brenda familjes janë raportuar për tetë muaj të këtij viti. E këtë dukuri po e shohin shqetësuese sociologët.

Rruga “Tirana” në Prishtinë u shndërrua në skenë krimi mbrëmjen e së dielës.

Kjo pasi një person dyshohet se u ther për vdekje me thikë nga vëllai i tij.

E raste të ngjashme të vrasjeve brenda familjes, gjatë periudhës janar – gusht të këtij viti ishin 4 sosh.

Kurse gjatë vitit 2023 u raportuan tetë raste të tilla.

“U njoftojmë se gjatë vitit 2023, janë evidentuar 7 raste të vrasjeve ku të përfshirë (i/e dyshuari/a dhe viktima) kanë qenë anëtarë të familjes. Si pasojë e këtyre rasteve, janë evidentuar 8 viktima (4 meshkuj dhe 4 femra, një rast me dy viktima)”, thuhet nga Policia e Kosovës.

E këtë dukuri po e shohin shqetësuese kriminologët.

“Si motiv mund të themi ose si shkaktarë mund të jenë kontekstet për të cilat qytetarët nuk po gjejnë  mjaftueshëm zgjidhje në institucionet të cilat janë të thirrura të bëjnë zgjidhje, sistemi i drejtësisë përgjithësisht apo konkretisht gjykata, prokuroria”, tha kriminologu, Armend Halimi.

Ndërkohë, Halimi tregoi edhe disa nga hapat për parandalimin e kësaj dukurie.

“Natyrisht një prej hapave final kishte me qenë shqiptimi i dënimeve adekuate ashtu siç parashihen  me kodin penal. Përveç kësaj edhe parandalimi i dukurive armbajtjes do të thotë ç’armatosjes së qytetarëve por të njëjtën kohë edhe institucionet të kryejnë punën e tyre mos të flenë lëndët siç e dimë prej dekadash, çka i bënë qytetarët të marrin vetëgjyqësinë në dorë apo zgjidhjen e problemeve“, tha Halimi.

Se shkaqet dhe motivet e vrasjeve mund të jenë të ndryshme e thotë edhe sociologu Genc Xërxa.

“Për arsye të ndryshme, qoftë në kohërat e ndryshme për shkak të pushtetit, fronit apo ka qenë edhe e shprehur në formë të zemërimit të pakontrolluar xhelozisë dhe zilisë që kanë ekzistuar”, tha Xërxa.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës, dënimin më të rëndë për vrasje parasheh dënimin me burgim të përjetshëm në nenin 41.



Read it all at Bota Sot