Baerbock në Kiev, premton vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën

- Bota Sot

Baerbock në Kiev, premton vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, është zotuar se aleatët perëndimorë do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, teksa nisi vizitën e tetë në Kiev, që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj më 2022.

Kjo vizitë më 4 nëntor po zhvillohet një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve amerikane, rezultati i të cilave është kritik për Ukrainën.

“Gjermania, së bashku me partnerët në mbarë botën, qëndron fort në anën e Ukrainës”, tha Baerbock përmes një deklarate, teksa lufta në Ukrainë është duke shkuar drejt vitit të katërt.

“Ne do të mbështesim popullin e Ukrainës për aq kohë sa të jetë e nevojshme, në mënyrë që ata të shkojnë drejt rrugës së një paqeje të drejtë”, shtoi kryediplomatja gjermane.

Presidenti amerikan, Joe Biden, është zotuar se shteti i tij do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Në garën presidenciale amerikane janë nënpresidentja demokrate, Kamala Harris, që ka premtuar vazhdimin e mbështetjes së Ukrainës, dhe ish-presidenti republikan, Donald Trump, i cili ka përmendur një zgjidhje të shpejtë për luftën.

Baerbock përmendi rëndësinë e mbrojtjes së infrastrukturës së energjisë së Ukrainës nga shkatërrimi gjatë sezonit të dimrit.

Ajo tha se Gjermania do të ndihmojë në luftimin e fushatës “brutale” të Rusisë, në mënyrë që “ukrainasit jo vetëm të mbijetojnë gjatë dimrit, por edhe shteti i tyre të mund të mbijetojë”.

Gjermania, mbështetësja e dytë më e madhe e Ukrainës pas SHBA-së, ka dhënë 170 milionë euro ndihmë emergjente për të ndihmuar vendin që të mund t’ia dalë gjatë dimrit.

Për një kohë të gjatë, Ukraina i ka kërkuar Gjermanisë që t’i japë raketat me rreze të gjatë veprimi, Taurus, por kancelari Olaf Scholz, ka refuzuar që të plotësojë këtë kërkesë të Kievit, nga frika se konflikti mund të përshkallëzohet dhe zgjerohet.

Scholz po ashtu ka refuzuar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të menjëhershëm në NATO. Një kërkesë e tillë është bërë nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, teksa ai ua ka prezantuar “Planin e Fitores” aleatëve të tij perëndimorë./REL



Read it all at Bota Sot