Suhareka e Dragashi përmirësojnë transparencën buxhetore, Prizreni nuk përfshihet në vlerësim

- Gazeta e Prizrenit

Suhareka e Dragashi përmirësojnë transparencën buxhetore, Prizreni nuk përfshihet në vlerësim

Dy komuna të rajonit të Prizrenit janë renditur lartë dhe një tjetër në kuartilin e ulët sa i përket transparencës buxhetore në vitin 2023, derisa Komuna e Prizrenit nuk është përfshirë në vlerësimin e bërë nga Instituti GAP.

Në Indeksin e transparencës buxhetore komunale 2023 të Institutit GAP, në mesin e komunave të rajonit të Prizrenit, Suhareka ka arritur përqindjen më të lartë të transparencës, e pasuar nga Dragashi. Për dallim prej tyre Komuna e Mamushës ka zënë vend kah fundi i renditjes, për shkak të nivelit të ultë të transparencës buxhetore gjatë kësaj periudhe, raporton Telegrafi.

Në raportin e Institutit GAP thuhet se problemet teknike të ueb faqes zyrtare të komunës së Prizrenit kanë ndikuar që kjo komunë të mos përfshihet në vlerësim e bërë. Aty sqarohet se komuna përmes përgjigjes ndaj kërkesës për qasje në të dhëna zyrtare, ka shoqëruar vegëza për secilin nga dokumentet buxhetore, porse mosfunksionimi i ueb-faqes ka pamundësuar qasjen online në këto dokumente.

Ndërkohë Komuna e Suharekës është vlerësuar me 95 pikë nga 100 të mundshme sa i përket transparencës buxhetore në vitin 2023. Sipas raportit, kjo komunë ka përmirësuar transparencën buxhetore për 10 pikë, në krahasim me vitin 2022, kur ishte vlerësuar me 85 pikë.

Lidhur me këtë rezultat ka reaguar kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj. “Transparenca buxhetore; Komuna e Suharekës nivel maksimal; Qeverisje për  qytetarët”, ka shkruar ai në rrjetet sociale, duke ndarë tabelën e Indeksit të transparencës buxhetore komunale 2023.

Komuna e Dragashit është vlerësuar me 83.5 pikë sa i përket transparencës buxhetore në vitin 2023. Kjo komunë, ka përmirësuar transparencën buxhetore për 13.5 pikë në krahasim me vitin 2022, kur është vlerësuar me 70 pikë.

Ndërsa Komuna e Mamushës është vlerësuar me 20 pikë për transparencën buxhetore në vitin 2023. Ndryshimi në këtë komunë ka qenë negativ, pasi për transparencën buxhetore të vitit 2022 ishte vlerësuar me 40 pikë, raporton Telegrafi.

Indeksi i Transparencës Buxhetore, i hartuar dhe përditësuar nga Instituti GAP që nga viti 2017, vlerëson transparencën buxhetore të komunave në Kosovë. Ky indeks synon rritjen e llogaridhënies dhe qasjes në informacionet buxhetore në nivel lokal.

Sipas Institutit GAP ndryshe nga vitet e kaluara, në vitin 2023, transparenca buxhetore e komunave është shoqëruar me ndryshim negativ, pasi mesatarja e pikëve në vitin 2022 ka qenë 62.8, ndërsa në vitin 2023 kjo mesatare ka rënë në 57.5.

“Rënia e mesatares së pikëve në Indeksin e transparencës buxhetore për vitin 2023 është ndikuar në veçanti nga problemet teknike për qasje në ueb-faqet e disa komunave”, thuhet në raportin e Institutit GAP. /Telegrafi/



Read it all at Gazeta e Prizrenit