Mijëra protestues u mblodhën para ndërtesës së qeverisë serbe të hënën në Beograd, duke kërkuar arrestimin e atyre që janë përgjegjës për një aksident në një stacion hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, që la pas vetes 14 të vdekur.
Veprimtarët e opozitës shprehën zhgënjimin e tyre që askush nuk është arrestuar apo ndjekur për atë që ata thonë se ishte lënie pas dore dhe korrupsion nga autoritetet.
Me 1 nëntor në Novi Sad, rreth 70 km në veriperëndim të Beogradit, çatia përgjatë hyrjes së stacionit hekurudhor u shemb papritmas, duke vrarë 14 njerëz dhe duke plagosur rëndë tre të tjerë.
"Ky nuk ishte një aksident... Ata u vranë nga korrupsioni, krimi, kontratat e papublikuara, shpërfillja dhe lakmia", tha avokati Jovan Rajiç para turmës së protestuesve. “Prandaj jemi të gjithë këtu, për të kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi”.
Sipas një plani origjinal, protestuesit duhej ti dorëzonin Presidentit Aleksandar Vuçiç kërkesat e tyre për dorëheqjen e kryeministrit Milosh Vuçeviç dhe kryetarit të Novi Sadit Milan Gjuriç.
Por pallati presidencial ishte i mbyllur dhe i rrethuar nga policia, kështu që ata thanë se do ti dorëzonin në parlament kërkesat, përfshirë ato për publikimin e kontratave te fshehta për rindërtimin e stacionit hekurudhor.
Nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre, deputetët e opozitës thanë se do të bëjnë thirrje për një votë mosbesimi ndaj qeverisë.
Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej "Korrupsioni vret" dhe "Krim, jo tragjedi".
"Kjo është më e pakta që mund të bënim dhe duhej të bënim për krimin që u krye në Novi Sad", tha Miroslav Sharenac, 69 vjeç.
Politikanët opozitarë, aktivistët dhe grupet e të drejtave të njeriut në Serbi, i akuzojnë autoritetet besnike të Presidentit Vuçiç dhe Partisë së tij Përparimtare Serbe për korrupsion të shfrenuar, lidhje me krimin e organizuar, nepotizëm dhe burokraci të tepruar.
Presidenti Vuçiç dhe aleatët e tij mohojnë akuzat e tilla.
Stacioni në Novi Sad u rinovua në vitet 2021 dhe 2022. Punime të tjera të vogla vazhduan deri në korrik të këtij viti./VOA