Një qendër me presion të ulët atmosferik, me origjinë nga Atlantiku, ka përfshirë tashmë Evropën Perëndimore dhe atë Qëndrore, ndërsa momentalisht gjendet në Poloni, duke u përshkuar nga një front i ftohtë, i cili po lëvizë drejt Evropës Juglindore.
Pra, të premten, do të kemi depërtimin e ftontit të ftohtë që nga orët e para të 24-orëshit, duke sjellur ulje të ndjeshme të temperaturave në vlerat maksimale, si dhe reshje intensive të shiut dhe borës, përfshirë edhe fundjavën. Kohë pas kohe priten edhe erëra të forta, me shpejtësi prej 30-50 km/h, e në momente të caktuara deri në 60 km/h në lokalitete.
Këto masa do të jenë më të dobëta në aspektin termik, që nënkupton se temperaturat nuk pritet të jenë mjaftueshëm të ulëta për të favorizuar reshjet e borës në pjesën më të madhe të territorit dhe kohës. Si rezultat, reshjet kryesore mund të jenë në formën e shiut apo shqotës, raporton Meteo Kosova.
Megjithatë, edhe reshjet e vetme të borës, do të paraqiten herë pas here në zona të ulëta, sidomos të shtunën, ku mund të përfshijnë të gjithë vendin, përpara se të rikthehen gradualisht në ato të shiut vonë pasdite dhe në mbrëmje.
Dita e dielë mbetet me shumë gjasë me reshje shiu, e në zona të caktuara me reshje bore, sidomos në Rrafshin e Kosovës.
Në këto ditë, në zonat malore priten reshje të dendura bore, ku trashësia mund të arrijë deri në 50 cm.
Këto reshje vijnë si pasojë e ciklonit me lëvizje të ngadalshme mbi Greqi, ku atje do të jenë reshjet më intensive, duke shkaktuar edhe përmbytje.