Kryetari i komunës, sot priti në takim përfaqësuesit e Shoqatës së Afaristëve “Sharri”, kryesuar nga kryetari i shoqates, Burim Piraj, ku u diskutua në lidhje me energjinë elektrike dhe ndërprerjet e shpeshta që po u shkaktojnë shumë dëme bizneseve lokale të kësaj komune.
Të dy palët dolën me një reagim të përbashkët të publikuar nga Komuna e Dragashit:
.
REAGIM LIDHUR ME PROBLEMET E FURNIZIMIT ME ENERGJI ELEKTRIKE NË KOMUNËN E DRAGASHIT
Të nderuar qytetarë të Komunës së Dragashit,
Kryetari i Komunës, z.Bexhet Xheladini, dhe Shoqata e Afaristëve “Sharri” zhvilluan sot një takim të rëndësishëm për të adresuar problemet e vazhdueshme të furnizimit me energji elektrike në Komunën tonë.
Tashmë ka një kohë të gjatë që situata e furnizimit me energji elektrike në tërë territorin Komunës së Dragashit është e paqëndrueshme.
Ndërprerjet e shpeshta të furnizimit me energji elektrike po krijojnë pasoja të shumta, duke shkaktuar humbje të mëdha ekonomike për bizneset lokale, si dhe dëme të ndryshme në amvisëri. Ndonëse në territorin e Komunës së Dragashit operojnë hidrocentrale që prodhojnë energji elektrike më shumë sesa që konsumojnë qytetarët e Komunës sonë, ajo prapë po neglizhohet nga institucionet përgjegjëse dhe qytetarët e bizneset po ballafaqohen çdo ditë me mungesë të energjisë elektrike.
Kërkojmë nga institucionet kompetente të KEDS-it dhe KOSTT-it që të ndërmarrin hapa konkretë dhe të menjëhershëm për përmirësimin e situatës së furnizimit me energji elektrike në Komunën e Dragashit.
Komuna e Dragashit dhe Shoqata e Afaristëve “Sharri” janë të gatshme për tu takuar me institucionet përgjegjëse, për ti adresuar problemet dhe shqetësimet e qytetarëve dhe bizneseve lokale, në mënyrë që situata me energji elektrike në Komunën tonë të normalizohet sa më shpejt.
Mbesim me shpresë se kërkesa jonë si përfaqësues të qytetarëve dhe bizneseve lokale të merret me urgjencë dhe të trajtohet me prioritet.