Mitsotakis: Liderët e BE-së angazhohen për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s

- Bota Sot

Mitsotakis: Liderët e BE-së angazhohen për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes së NATO-s

Vendet e NATO-s janë të vetëdijshme për nevojën për të shpenzuar më shumë se dy për qind të prodhimit ekonomik për mbrojtjen, deklaroi sot kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Në një konferencë pas samitit Veri-Jug të BE-së sot mbi sigurinë evropiane në Saariselka të Finlandës, Kyriakos Mitsotakis tha se një shifër e re objektive "do të bëhet e qartë" vitin e ardhshëm pas diskutimeve midis anëtarëve të Aleancës.

“Do të bëhet e qartë pasi të ndër-veprojmë me presidentin e ri (amerikan), se cila është shifra për të cilën do të biem dakord brenda NATO-s”, tha ai.

Donald Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, dëshiron që aleatët e NATO-s të rrisin shpenzimet e mbrojtjes në më shumë se dyfishin e objektivit aktual prej dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Ekipi i Trump u ka thënë zyrtarëve evropianë se presidenti i ardhshëm amerikan pret që anëtarët e Aleancës ushtarake të rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes në 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto.

Mitsotakis nuk pranoi të citonte një numër specifik në përgjigjen e pyetjes së një gazetari për këtë çështje, duke thënë se do të jetë më shumë se dy për qind.

Pjesëmarrës në samitin e sotëm Veri-Jug në Finlandë, i cili u thirr nga kryeministri finlandez Petteri Orpo, ishin kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri suedez Ulf Kristersson dhe shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.

"Ne të gjithë ramë dakord se Evropa duhet të bëjë më shumë për të mbrojtur veten dhe për të parandaluar luftën. Vitin e ardhshëm, ne do të propozojmë ide në nivel të BE-së për më shumë bashkëpunim në mbrojtje, aftësi më të forta dhe financime", shkroi Kallas në X.

Kryeministri suedez Ulf Kristersson në një postim në X tha se Evropa duhet të merr një përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj, por refuzoi të jepte një shifër për shpenzimet e mbrojtjes.

Anëtarët evropianë të NATO-s janë nën presion në rritje për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë dhe kërcënimeve të Vladimir Putin për të sulmuar ata që mbështesin Kievin.

Shefi i ri i NATO-s Mark Rutte tha në fillim të këtij muaji se anëtarët e Aleancës duhet të shpenzojnë "shumë më shumë" se dy për qind.

Një raport i NATO-s në qershor tregoi se 23 anëtare të Aleancës nga 32, kanë përmbushur objektivin dy për qind për shpenzimet e mbrojtjes.



Read it all at Bota Sot