Napoli është në zi pasi sot humbi tifozin e tyre 13-vjeçar, Daniele, i cili nuk mundi ta fitonte betejën kundër leukemisë. Ai ishte kthyer në një simbol frymëzimi dhe një lidhje e veçantë për ekipin.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta mbërriti pasdite, dhe trajneri Antonio Conte ishte aq i tronditur sa nuk mori pjesë në konferencën për shtyp pas fitores 3-0 ndaj Fiorentinës.
Zëvendëstrajneri Cristian Stellini u shfaq dukshëm i prekur teksa shpjegoi situatën për DAZN dhe gjatë konferencës për shtyp.
Presidenti Aurelio De Laurentiis gjithashtu publikoi një mesazh ngushëllimi në rrjetet sociale:
“I dashur Daniele, na dhurove muaj të tërë gëzimi duke qëndruar pranë nesh. Pavarësisht sëmundjes, ti na përcollë forcë, guxim dhe gëzim. Këtë fitore ta dedikojmë ty dhe e dimë që do të vazhdosh të na shikosh nga lart, me të njëjtën dashuri. Do të mbetesh gjithmonë në zemrat tona.”
Sipas raportimeve, Daniele u diagnostikua me leukemi në vitin 2023 dhe pati mundësinë të takonte ekipin, pasi dëshira e tij ishte të kalonte kohë me ta në grumbullimin para-sezonal. Që nga ai moment, ai u bë si një maskotë për skuadrën, ndërsa javët e fundit, Andre Frank Zambo Anguissa festonte golat duke treguar një mesazh të shkruar në një shirit dore: “Forza Daniele.”
Kur Daniele nuk mund të ishte i pranishëm në stadium, Conte e telefononte për t’u siguruar që ai ndjente veten pjesë të ekipit.
Edoardo De Laurentiis, nënkryetari i klubit dhe djali i presidentit Aurelio, postoi një mesazh në “Instagram Stories” së bashku me një foto të Daniele-s duke festuar me lojtarët:
“Udhëtim të mbarë, kampioni ynë i vogël. Luftove si një luftëtar deri në fund.”
Kapiteni Giovanni Di Lorenzo ndau një foto me Daniele-n duke festuar me të dhe shkroi:
“Do të jesh gjithmonë me ne.”
Leonardo Spinazzola gjithashtu foli për marrëdhënien e ekipit me Daniele-n gjatë konferencës për shtyp në Firence:
“Tani ai do të na shikojë nga lart. Do të na mungojë shumë, ai na mësoi shumë gjëra.”