Nuhi Muhadri, veprimtar i hershëm e palodhur kombëtar
Shkruan: Ismet Rashiti
Viti 1981, ishte viti i demonstratave dhe protestave për Republikën e Kosovës. Qytetet dhe fshatrat e Kosovës gumzhinin nga brohoritjet, këngët dhe shkrimi i parullave kudo. Në këto kohë të vështira, por gjithsesi të lavdishme, nuk mund të rrinte duarkryq as mërgata patriotike shqiptare. Falë udhëheqësve të Lëvizjes Kombëtare, Kadri Zeka, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, filloi të organizohet dhe t’i përgjigjet kërkesave gjithëpopullore.
Qinda patriotë mërgimtarë, u mobilizuan. Filluan të shpërndajnë trakte e gazeta përmes së cilave kundërshtohej dhuna dhe terrori serb kundër studentëve shqiptarë. Ata kundërshtonin hapur të gjitha delegacionet e LKJ që vinin për t’i dënuar demonstratat si « nacionaliste », « seperatiste » dhe « irredentiste ». Ua prishnin tubimet diferencuese dhe koncertet e bashkim-vllaznimit, duke brohoritur parullën famëmadhe, « Kosova Republikë » !
Falë përpjekjeve të mëdha të Kadri Zekës në Zvicër, bashk me Zijah Shemsiun dhe shumë veprimtarë tjerë, ndër të cilët edhe atdhetari, Nuhi Muhadri, arritën të organizojnë demonstratën e parë, më 11 prill 1981, në Bern.
Atdhetari, Nuhi Muhadri, një djalë i gjatë, pedant dhe shumë aktiv, shpërndante trakte, gazeta e ftesa për demonstrata, kudo në mesin e bashkatdhetarëve. “Kosova Republikë”! dhe “Ne jemi me Kosovën!”- ishin parullat kryesore, krahas shumë parullave tjera që dëshmonin se mërgata është krah popullit të saj në çdo moment. Duke qenë i bindur në kërkesat e derjeta për Republikën e Kosovës, Nuhiu nuk kursehej për asnjë moment. Pa u friguar fare printe në ballë të rreshtit të demonstruesve.
Si njeri i besueshëm i Kadri Zekës dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallës, Nuhi Muhadri printe i pari me parulla dhe Flamur Kombëtar. Falë vendosmërisë dhe përkushtimit, kudo kishte fituar besim në meset e punëtorëve. I takonte dhe i këshillonte për rëndësinë e demonstratave dhe kërkesave të drejta.
Nuhi Muhadri gjatë gjithë vitit 1981, ishte kudo i pari. Nga një tubim në tjetrin, nga një demonstratë në tjetrën, pa u lodhur asnjëherë. Ai nuk kursente mundin, të hollat e fituara me djersë, por edhe nuk i trembej syri nga nga UDB-ja ish jugosllave, e cila ato kohë kishte filluar t’i ndiqte e burgoste shumë punëtorë mërgimtarë për pjesëmarrje në demonstrata.
Si shumë veprimtarë tjerë të vitit 1981 që nuk u kthyen për pushimet dimrore pranë familjeve, për shkak të ndjekjeve nga UDB-ja, edhe Nuhiu, kishte vendosur të mos kthehej për momentin. Jo pse frigohej, por pse donte të vepronte edhe më tej për çlirimin e Kosovës.
Më 2 janar 1982, Kadri Zeka-Zeqa, kishte vendosur të martohej me veprimtarën, Saime Isufi. Njëri nga të ftuarit e parë në Zvicër ishte edhe Nuhi Muhadri, i cili mori pjesë bashkë me shumë veprimtarë nga qytete të ndryshme të Zvicrës dhe Gjermanisë. Dasma ishte bërë në fshatin malor Macolin, mbi qytetin Biel/Bienne, ku ishte edhe kontaktadresa e gazetës « Liria » dhe pastaj « Zëri i Kosovës ». Këtë kontaktadresë e kishin bërë, Kadri Zeka dhe Hydajet Hyseni, bashkë me miqtë Beat Schaffer dhe Katrin Assal, qysh në vitin 1980, kur edhe ishte formuar bërthama e parë e organizimit të pavarur të shqiptarëve nga amabasadat ish jugosllave.
Në dasmë, Nuhi Muhadri rrinte ulur pranë Jusufit e Bardhoshit, dhe s’bashku me ta dhe të tjerët, këndonte e vallëzonte këngë patriotike.
Atë vit, Nuhiu nuk kishte shkuar për pushime në vendlindjen e tij të dashur, pranë familjes dhe të afërmëve. Për çdo ditë i kujtonte me dashuri. Zemra i zhuritej për gurin dhe drurin e Kosovës. Ai nuk mund t’a merrte me mend të jetonte pa Kosovën e dashur. Vitin 1982, krahas veprimtarisë patriotike, e kaloi mes ëndrrash për Atdheun e tij të dashur, për familjen, malet e fushat nga kishte bërë hapat e parë.
“Nuk do të rri pa u kthyer në Kosovën time”- tha një ditë Nuhiu. Do të kthehem edhe nëse më presin plumbat, e burgu po se po.
Viti 1983 e kishte gjetur në Demjanin dhe Gjakoven tij. Nuk kaluan shumë ditë, sapo e kishin hetuar bishat, shkojnë dhe e arrestojnë.
Për veprimtari « armiqësore », gjykatat antishqiptare e dënojnë me katër vite burg, plus dy muaj të hetuesisë së rëndë, nëpër tortura e maltretime nga më të ndryshmet.
Atdhetari, Nuhi Muhadri, pa ju trembur syri asnjëherë dhe i brumosur me idealet më të larta kombëtare, e mbanë burgun dhe i kthehet sërish jetës në Demjanin e tij. Sërish, çdo herë dhe çdo kund në shërbim të lirisë, çlirimit, zhvillimit, emancipimit dhe përparimit të Kosovës dhe viseve tjera shqiptare. Edhe sot jeton krenar mes familjes së tij, nipave dhe mbesave të cilët ja shtojnë jetën për çdo ditë ! / Gazeta e Prizrenit