Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick ka dalë në konferencën për shtyp para gjysmëfinales së Superkupës së Spanjës kundër Bilbaos sonte në mbrëmje në Arabinë Saudite. Ai ka folur për mjaft tema, por natyrisht që e gjithë vëmendja ka qenë te situata e dyshes Dani Olmo e Pau Viktor që nuk janë federuar ende dhe me shumë gjasa nuk do të jenë gati as për finalen nëse Barcelona arrin të kualifikohet.
Trajneri gjerman nuk e ka fshehur shqetësimin e tij për mungesën e dy lojtarëve. “Janë dy lojtarë të shkëlqyer dhe ne do ta ndiejmë mungesën e tyre”, tha Flik, duke shpresuar në një zgjidhje të shpejtë të këtij ngërçi.
Çfarë ndeshje prisni kundër Bilbaos? Të luash kundër Bilbaos është gjithmonë e vështirë. Është një ekip shumë i mirë, ka lojtarë shumë të mirë dhe një filozofi shumë të qartë loje. Është kënaqësi t’i shohësh duke luajtur. Ata kanë lojtarë shumë të shpejtë. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur.
A mendoni se Dani Olmo apo Pau Viktor do të luajnë në këtë turne? Nuk mendoj se ndonjëri prej tyre do të luajë kundër Bilbaos. Por do të presim. E vetmja gjë që mund të bëjmë tani është të presim. Kjo është situata në të cilën ndodhemi.
Jeni në një situatë të pakëndshme për shkak të çështjes “Olmo”? Siç e thashë edhe më parë, nuk është aq e lehtë për ne që të mos kemi dy lojtarë shumë të rëndësishëm. Dani Olmo është një lojtar i shkëlqyer, sigurisht që na mungon.
Por ne duhet të vazhdojmë. Sigurisht që do të ndikojë tek ne, por kjo do të na japë mundësinë të jemi më të bashkuar si ekip. Duhet të tregojmë se jemi të titllë.